Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës Fehmi Mehmeti tha se BQK duke siguruar një sistem financiar të qëndrueshëm, i cili jo vetëm se arriti të përballojë zhvillimet e pafavorshme ekonomike në vend, por edhe u shndërrua në njërën ndër shtyllat kryesore të mbështetjes për bizneset dhe individët që hasën në vështirësi financiare për shkak të krizës pandemike.
“Kontributi i sektorit bankar në mbështetje të ekonomisë ishte shumë i rëndësishëm edhe në aspektin e vazhdimit të kreditimit, përkundër ngritjes së nivelit të rreziqeve me të cilat u ballafaquan bankat. Gjatë periudhës janar – tetor 2020, vlera e kredive të reja të lëshuara nga sektori bankar ishte 1.2 miliardë euro, përderisa vlera e përgjithshme e kredive aktive në sektorin bankar në tetor 2020 ishte 3.2 miliardë euro, e cila paraqet një rritje vjetore prej 7 përqind. Aktualisht, edhe pas ndërmarrjes së gjithë këtyre masave jo shumë të zakonshme për një sektor bankar dhe me një ekonomi e cila gjendet në një fazë recesioni, sektori bankar i Kosovës vazhdon të ketë nivel të lartë të qëndrueshmërisë dhe është i gatshëm të ushtrojë rolin e tij kyç në procesin e rimëkëmbjes ekonomike. Pakoja e rimëkëmbjes ekonomike e sapo aprovuar nga Kuvendi i Kosovës parasheh një rol shumë të rëndësishëm për sektorin bankar. Një pjesë shumë e rëndësishme e kësaj pakoje bazohet në skemat e garantimit të kredive dhe subvencionimit të normave të interesit, të cilat do ta lehtësojnë dhe përmirësojnë rrjedhën e financimit bankar drejt ekonomisë së vendit. Gjithsej mjetet e sektorit bankar kanë vazhduar trendin e rritjes edhe gjatë këtij viti, duke arritur vlerën prej 5.05 miliardë euro në tetor 2020, e cila paraqet një rritje vjetore prej 10.3 përqind. Sektori bankar vazhdon të gëzojë besim të lartë tek publiku, besim ky i shprehur edhe me rritjen e vazhdueshme të depozitave. Në muajin tetor 2020, vlera e përgjithshme e depozitave ishte rreth 4.1 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 8.7 përqind. Ritmi i rritjes së gjithsej depozitave diktohet kryesisht nga depozitat e ekonomive familjare, kategori që dominon strukturën e gjithsej depozitave në sektorin bankar me pjesëmarrje prej 67 përqind në totalin e depozitave, e të cilat në vitin 2020 shënuan rritje prej 7.3 përqind. Normat e interesit në kredi vazhduan trendin rënës, duke zbritur në 6.3 përqind nga 6.5 përqind sa ishin në periudhën e njëjtë të periudhës së kaluar, gjë që tregon për lehtësim të vazhdueshëm të qasjes në financim bankar”, deklaroi Guvernatori Mehmeti.