Murati: Dje u votua edhe amandamenti që liron nga pagesa e rentës minerare oligarkët

Gjatë ditës së djeshme në Kuvendin e Kosovës, deputetët kanë votuar pro heqjes së rentës minerare për kompanitë e mëdha që operojnë në Kosovë, tarifë kjo që pritet të jetë milionëshe.

Hekuran Murati, deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë për Buletinin Ekonomik se të gjithë deputetët e tjerë me përjashtim të Vetëvendosjes, kanë mundësuar kalimin e amandamentit që liron nga pagesa e rentës minerare kompanitë, ku sipas tij nëse shikohet përfituesi, del të jetë vetëm një kompani e tillë në Kosovë, ajo e Ferronikelit.

Sipas Muratit, kostoja e saj pritet të varet nga vëllimi që do të ekstraktohet, i cili pritet të rritet tani që pagesa e rentës minerare është hequr, dhe gjithsesi se do të shkojë në disa miliona euro.

Reklama e sponzorizuar

Ky amandament është i papranueshëm, thotë Murati,  pasi me paratë e taksapaguesve të varfër po i ndihmohet një miliarderi, dhe se nuk do të duhej të kalonte kurrsesi. Për këtë arsye, i njëjti amandament nuk kishte kaluar as në Komisionin për Buxhet dhe Transfere, i cili drejtohet nga vet Murati.

“Mirëpo me gjasë që pazaret e bëra ditëve të fundit kanë ndryshuar qëndrimet e deputetëve të partive të klubit të stërvjetëruar, të cilët ditë e natë thirren kinse në interesat e qytetarëve, mirëpo kur vie puna te amandamentet, votojnë për interesa të oligarkëve”, përfundoi tutje Hekuran Murati nga VV.

Ndryshe, kompania “Feronikel” është në pronësi të biznesmenit nga Shqipëria, Saimir Mane./Buletini Ekonomik/