Nesër pritet të hyjnë në fuqi masat e reja anti-Covid

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka mbajtur sot një takim virtual me komunitetin e biznesit, në të cilin ka folur për masat e reja anti-Covid.

Në një njoftim për media nga zyra e Kryeministrit, thuhet se masat e reja anti-Covid do të hyjnë në fuqi këtë të mërkurë.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, zhvilloi sot një takim virtual me komunitetin e biznesit në vend, të cilët i informoi në hollësi me masat e reja anti Covid-19, që pritet të miratohen nga Qeveria dhe të hyjnë në fuqi nga data 23 dhjetor 2020”, thuhet në njoftim.

Reklama e sponzorizuar

“Komuniteti i biznesit ofroi mbështetje për masat e reja anti-Covid-19  dhe insistoi që Kuvendi të mos shpërndahet pa e miratuar buxhetin 2021. Kryeministri Hoti i siguroi ata se është në komunikim të vazhdueshëm me grupet parlamentare dhe se po angazhohet maksimalisht që përbërja aktuale e Kuvendit të miratojë buxhetin për vitin e ardhshëm, si dhe disa marrëveshje ndërkombëtare që lidhen me buxhetin”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se Hoti dhe përfaqësuesit e komunitetit të biznesit janë pajtuar se buxheti është kush për krijimin e pakos së re dhe zbatimin e masave për rimëkëmbje ekonomike.

“Kryeministri Hoti dhe përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, u pajtuan se buxheti është parakusht për krijimin e pakos së re dhe zbatimin e masave për rimëkëmbje ekonomike, respektivisht mbështetje të bizneseve të prekura nga pandemia Covid -19”, thekson njoftimi./