“Nga rrjeti në rrotë”, mundësi e së ardhmes për transportin publik

Gjiganti japonez për prodhim të pajisjeve industriale për transmetim dhe distribuim të energjisë elektrike, Hitachi, gjatë këtij viti ka blerë shumicën e aksioneve të kompanisë evropiane ABB dhe tashmë kompania e re ka hapur përfaqësinë e vet për Ballkanin me bazë në Kroaci dhe një zyre në Kosovë.

Në gamën e vet të zgjidhjeve për energji elektrike, Hitachi ABB njihet për bartjen e energjisë “nga rrjeti deri në rrotë” duke siguruar mobilitet për qytete, përmes markës së vet të mbushjes së baterive për flota të tëra të autobusëve e mjeteve të tjera. “Grid e-motion” quhet brendi për mbushje të baterive, nëse ndonjëherë transporti publik i qyteteve të Kosovës lëviz nga nafta në energji elektrike.

Drejtoresha për Ballkan, Nina Dusper Sushiq, ka thënë për KOHËN se zyra në Kosovë i mundëson vendit të ketë qasje në teknologjinë dhe dijeninë më të mirë në botë në zbatimin e projekteve të transmetimit dhe distribuimit. Ajo ka folur edhe për obligimet e Kosovës pas unionit energjetik me Shqipërinë.

Reklama e sponzorizuar

Pasi Kosova është bërë anëtare e pavarur e rrjeteve ndërkombëtare të transmisionit të Energjisë ENTSO-E dhe ka krijuar një bllok të pavarur energjetik së bashku me Shqipërinë edhe obligimet për raportim dhe stabilitet janë më të mëdha. Për këtë thotë Sušić rishtas janë përfshirë në konstruktimin e disa nënstacioneve në Prishtinë, Drenas, Mitrovicë e Therandë në mënyrë që të parandalohen ndërprerjet e energjisë në rast të rritjes së kërkesave. Ka shtuar se sistemet e tyre “nuk kontrollohen në vend, por nëpërmes rrjetit nga largësia duke mundësuar reagim më të shpejtë”.

Sušić ka thënë se Kosova në vitet e fundit ka pasur një zgjerim dhe zhvillim të madh urban dhe për këtë duhet që paralelisht të sigurohet teknologji më e mirë në ofrimin e energjisë elektrike.

“Ne si Hitachi ABB mund të përkrahim KOSTT-in, KEDS-in dhe KEK-un që të ndërtojnë një infrastrukturë të mençur dhe ekologjike, që do të mundësonte përballimin e industrisë dhe infrastrukturës urbane për periudha të gjata kohore”, ka thënë Sushiq.

Hitachi ka qenë një gjigant elektrik që ka dominuar tregun e Azisë, përderisa ABB ka funksionuar në Evropë me aksionarët më të mëdhenj në Zvicër dhe Suedi. Tashmë nga këto dy kompani është krijuar një e vetme që edhe ka bashkuar dijeninë e dy palëve në një kompani të vetme. Kompania e re ka marrë Përgjegjësi Sociale të Korporatave duke shtuar përpjekjet e tyre në arritjen e caqeve të Kombeve të Bashkuara në veçanti atij numër 7, që ka të bëjë me “qasjen në energji të pastër” për të gjithë.