OBSH paralajmëron pandemi tjetër

Tedros Adhanom Ghebreyesus, kryetar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka thënë se secili shtet duhet të fillojë të investojë dhe të përgatitet për pandeminë e ardhshme.

Ai e bëri paralajmërimin në një sesion të posaçëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për koronavirusin.

Ai mori hapur në mbrojtje Kinën, kur tha se vendet që janë marrë me koronavirusët e kohëve të fundit, përfshirë SARS-in, ose sindromën e rëndë akute të frymëmarrjes, dhe MERS, ose sindroma respiratore e Lindjes së Mesme, si dhe sëmundje të tjera infektive, kanë pasur më shumë sukses në kufizimin e përhapjes së COVID-19.

Reklama e sponzorizuar

Kurse në të njëjtën kohë sulmoi qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të tjera vende në BE se nuk morën masa.

“Pavarësisht paralajmërimeve prej disa vitesh, shumë vende nuk ishin të gatshme për COVID-19”, tha Tedros .

OBSH është kritikuar nga disa vende për trajtimin e saj të pandemisë pasi Kina raportoi rastet e para në fillim të këtij viti.

Presidenti amerikan Donald Trump ka qenë një nga kritikët më të zëshëm dhe më 29 maj njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga organizata globale e shëndetësisë.

Presidenti i zgjedhur Joe Biden ka thënë se do ta përmbysë atë vendim kur të marrë detyrën në janar.

Shefi i OBSH-së theksoi nevojën që vendet e pasura dhe të varfëra të kenë qasje të barabartë tek një vaksinë COVID-19, duke thënë se vënia e shkencës në shërbim të të gjithëve nuk është bamirësi, por në interesin më të mirë të çdo vendi.

Ai gjithashtu u bëri thirrje vendeve që të rimendojnë rrënjësisht se si i japin përparësi dhe e shohin shëndetin nëse duan të shmangin një krizë tjetër të përmasave të ngjashme.

“Pandemia provoi që një krizë shëndetësore nuk është vetëm një krizë shëndetësore, por është një krizë sociale, ekonomike, politike dhe humanitare,” tha ai.

Të premten, Bahreini u bë vendi i dytë që miratoi përdorimin emergjent të vaksinës së koronavirusit Pfilzer-BioNTech. Britania ishte vendi i parë që hapi dritën jeshile për vaksinën.

Sfida është mbajtja e vaksinës në temperatura shumë të ulëta. Ajo duhet të ruhet në temperatura rreth minus 70 gradë Celsius (minus 94 gradë Fahrenheit). Temperaturat në Bahrein rregullisht janë rreth 40 C (104 F).