Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) nëpërmjet një reagimi iu ka drejtuar ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, si dhe ministrit të Shëndetësisë, ka shprehur shqetësimin e thellë ndaj vendimeve të pakoordinuara të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
OAK nëpërmjet reagimit, duke iu referuar sqarimeve të publikuara mbrëmë nga MTI, në fillim ftohen operatorët ekonomikë që të parashtrojnë ankesë në Inspektoratin e Tregut të MTI-së kundër çdo veprimi administrativ të ndërmarrë nga inspektorët e tregut, që konsiderohen në kundërshtim me ligjet dhe vendimet në fuqi, meqenëse vendimi i Qeverisë nr.01/42, në listën e lejimit të ushtrimit të veprimtarive ka përfshirë edhe sektorin e produkteve ushqimore respektivisht marketet.
“Kurse, më vonë, në sqarimin plotësues njoftohen bizneset dhe opinioni publik se Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, nr.01/42, i datës 11.11.2020, do të vazhdojë të zbatohet ashtu siç është zbatuar deri më tani. OAK kërkoi që vendimet të cilat ndërmerren nga Qeveria e Kosovës si dhe ministritë përkatëse të jenë në koordinim të plotë mes tyre, duke mos shkaktuar konfuzitet dhe paqartësi tek operatorët ekonomik, e duke krijuar humbje shtesë edhe ashtu të goditur nga pandemia. Ndër të tjera u kërkua që për çdo vendim të marrë nga ekzekutivi të jetë i informuar paraprakisht sektori i biznesit. Vendimet e tilla ad-hoc po janë të paqarta dhe po shkaktojnë konfuzitet tek qytetarët dhe bizneset, andaj OAK kërkoi që vendimet e Qeverisë të jenë më të koordinuara në mënyrë që të mos pengojnë punën e sektorit privat, veçanërisht në këtë periudhë kur bizneset dhe vetë ekonomia e vendit gjendet në gjendjen më të vështirë si rezultat i pandemisë”, thuhet në reagim.