Gjatë procesit të lëshimit të lejeve për hidrocentralet në Grykën e Deçanit, qytetarëve u është shkelur e drejta themelore e garantuar me Kushtetutë pasi u është mohuar e drejta për të marrë pjesë në vendimet që kanë të bëjnë me mjedisin ku jetojnë, pra pa u zhvilluar debat publik, siç kërkohet me ligj, raporton KOHA.
Kjo është vetëm njëra pikë e padisë e dërguar në gjykatë nga Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike, së bashku me Shpresa Loshajn nga OJQ “Pishtarët”, lidhur me lejet mjedisore dhe ujore për hidrocentralet “Deçani” dhe “Belaja” të lëshuara nga Ministria e Ambientit dhe ZRRE-ja.
Sipas Arbër Fetahut, lëshimi i këtyre lejeve ka qenë jotransparent. “Kelkos Energy” nuk e ka bërë rehabilitimin e ambientit ashtu siç e kërkon ligji dhe e ka degraduar mjedisin. Prandaj mbi këtë bazë ne kemi kërkuar nga gjykata anulimin e këtyre vendimeve për licenca, si dhe kemi kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të këtyre vendimeve derisa gjykata të marrë një vendim përfundimtar në lidhje me ligjshmërinë e procesit”, ka deklaruar Fetahu.
Shpresa Loshaj nga OJQ “Pishtarët” beson që gjykata do ta shtyjë ekzekutimin e këtij vendimi. “Është i vetmi organ që nuk është shkapërderdhur ende. ZRRE e Ministria gjithmonë kanë dështuar te “Kelkosi”. Nëse dështon edhe Gjykata nuk mund të themi që Kosova është shtet”, ka shtuar Loshaj.
Ndërkohë në Komisionin hetimor për procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Kosovë ishte paraparë të raportonte ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi. Por mbledhja e këtij komisioni dështoi për të tretën herë radhazi. Ky komision dështoi edhe në mbledhjen tjetër të paraparë për të premten, ku për raportim ishte ftuar drejtoresha e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, Letafete Latifi.
Më 12 nëntor të këtij viti Zyra e Rregullatorit të Energjisë i ka lëshuar licencë 40-vjeçare kompanisë “Kelkos” për operimin e dy hidrocentraleve, “Deçani” dhe “Belaja”.
Kjo është bërë pasi kompania dy ditë më parë kishte dorëzuar në ZRRE lejen mjedisore të lëshuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, i cili ishte kusht për lejim të operimit.
Vetëm pak orë para vendimit të ZRRE-së ministri Blerim Kuçi pati deklaruar se kjo kompani nuk ka leje, pasi nuk i ka plotësuar kriteret.
Kjo ka çuar në kërkesa drejtuar Prokurorisë nga shoqëria civile dhe deputetë të opozitës që të hetojë mënyrën e licencimit të “Kelkosit”.