Kjo është pamja e cila e shoqëron më së shumti kryeqytetin prej momentit të parë kur ulen temperaturat.
E me një situatë të tillë më së shpeshti përballen qytetarët e lagjeve “Tophane”, “Kodra e Trimave”, “Medrese” dhe “Kolovicë”, të cilët edhe më tutje shfrytëzojnë drurin apo qymyrin si resurse kryesore për ngrohje, shkruan KOHA.
Për t’i shmangur ngrohjet e tilla, që ndikojnë negativisht edhe në cilësi të ajrit, vitin e kaluar, Komuna e Prishtinës, bashkë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), si dhe Grupin e Bankës Gjermane për Zhvillim (KFW), nisën projektin për ngrohje me energji solare.
Por, që atëherë projekti ka ngecur për shkak të parcelës ku do duhej të vendoseshin panelet solare.
Konsulentët kishin zgjedhur një lokacion në Shkabaj për vendosjen e tyre, por që i njëjti është caktuar nga Qeveria e Kosovës për një projekt tjetër, atë të ndërtimit të shtëpive për banorët e zhvendosur të Hades.
Problemin me Qeverinë e ka konfirmuar kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Është bërë fizibiliteti dhe toka që është përzgjedhur nga donatorët ka edhe një projekt tjetër të Qeverisë. Jemi në bisedime sepse BERZH-i dhe KFW po thonë se nuk ka vend më të mirë për projektin në fjalë.
Është ngrohtorja “Termokos’’ ajo e cila do të merret me projektin dhe e cila thotë se për problemin pronësor është kyçur edhe Komuna e Obiliqit.
Por, Prishtina nuk mund t’i vendosë panelet solare në këtë parcelë, thonë në Ministrinë e Mjedisit. Sipas tyre, kjo tokë është në Komunën e Obiliqit dhe i përket planit rregullativ ku do të bëhet Hadja e Re, Shkabaj.
Niveli qendror thotë se është i gatshëm ta ndihmojë Prishtinën në këtë projekt nacional me shpronësim, por në një pronë që i përket Komunës së Prishtinës.
E për shumë prej qytetarëve, shtrirja e rrjetit të ngrohjes qendrore në kryeqytet është e mirëseardhur ani pse, sipas tyre, e vonuar.
Për projektin në fjalë duhen edhe fonde të tjera, të cilat Termokos thotë se është duke i negociuar.