Shkalla e papunësisë në Anketën e Fuqisë Punëtore, për tremujorin e tretë 2020 ishte 24.6 për qind ku më e theksuar ishte te femrat me 33.1 për qind, krahasuar me meshkujt që ishte 21.5 për qind.
Kështu ka bërë të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës, duke shtuar se shkalla e punësimit ishte 30.1, punësimi me i lartë ishte te meshkujt me 46.2 për qind, kurse te femrat 14.4 për qind.
Sipas raportit, përcjell Telegrafi, femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor me 49.7 për qind, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit me 46.5 për qind.
Sektorët e ekonomisë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë tregtia me 17.2 për qind, ndërtimtaria me 13.3 për qind, prodhimi me 11.3 për qind, si dhe arsimi me 9.1 për qind.
Sa i përket të të punësuarve me kontrata, del se 42.1 për qind e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore.
Fuqia joaktive ishte mjaft e lartë, me 60 për qind me fokus të veçantë te femrat me 78.5 për qind krahasuar me meshkujt me 41.1 për qind.