Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Prizren, Shaqir Totaj, ka akuzuar qeverinë e Prizrenit për tenderë të dyshimtë si dhe për punësime nepotike.
“Kam paraqitur tri raste të punësimeve për të cilat ekzistojnë indikacione se ato janë punësime nepotike”, ka thënë Totaj duke përmendur emrat e Blerina Susurit, Elvira Dautit dhe Agneca Laçit.
“Vetë fakti që një person ka lidhje familjare me dy të punësuarit është vetvetiu indikator se mund të kemi pasur lidhje nepotike”.
Mirëpo, Totaj ka thënë që këto tri punësime nuk janë të vetmet parregullsi nga qeveria komunale e Prizrenit.
“Vetë drejtori i gjimnazit është ushtrues detyre kur ne e dimë së në bazë të ligjit për shërbyes civilë është gjashtë muaj. Faktikisht kemi tri herë nga 6 muaj afat kur nuk është respektuar ligji për shërbyes civilë”.
Ai i ka përmendur edhe dy denoncime, një rast të një personi me titull master që është diskualifikuar në secilin aplikim, si dhe një rast tjetër të një personi që merr pagë pa shkuar fare në punë.
Totaj thotë që këto veprime nuk korrespondojnë me premtimet zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Haskukës ku premtohej depolitizim i arsimit dhe ngritje e cilësisë.
“Mund të ndodhë që edhe këta ta meritojnë mirëpo vetë fakti që ekzistojnë lidhje të afërta familjare, për neve është indikator se dicka mund më mos ketë qenë në rregull”, thotë Totaj.
Ai shtoi se PDK-ja në Prizren do të marrë më shumë informata dhe pastaj do t’i shqyrtojnë hapat e mëtutjeshëm.
Totaj po ashtu tha se pas dy-tre ditësh, kjo parti do të dalë me konferencë për media ku do t’i dënojë, sipas tyre, dy raste shkeljeje nga qeverisja lokale e Prizrenit: një platformë për mësim online që është pjesë e një tenderi prej 110 mijë eurosh, e që sipas Totajt duket e dyshimtë pasi që ky lloj mësimi është organizuar nga niveli qendror. Ndërkaq rasti i tjetër ka të bëjë me një çerdhe në Prizren për të cilën Totaj thotë se Haskuka ka dalë për t’u krenuar publikisht, mirëpo ajo çerdhe ende nuk ka filluar të punojë.
Nënkryetari i Prizrenit, Visar Shehu, ishte pajtuar që të jepte një prononcim në edicionin special të Klan Kosovës, mirëpo më vonë e kishte anuluar intervistën.