Shteti po e përgatit udhëzimin administrativ që i takson ata që s’e punojnë tokën

Sektori i bujqësisë

Kosovarët që s’i punojnë tokat bujqësore do të duhet t’i paguajnë tatim shtetit. Ky lloj tatimi do të fillojë të aplikohet për t’i nxitur banorët e vendit që të mos i lënë tokat djerrina dhe zvogëlimin e importit të produkteve bujqësore. Por, kur do të filloj së zbatuari një projekt i tillë?

Tash e dy vite, është përmendur ideja që të ketë tatim për tokat bujqësore që s’punohen në vend. Si vit kur do të fillonte së zbatuari ky projekt ishte përmendur 2020’ta.

Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, meqenëse nuk është krijuar baza ligjore për këtë.

Reklama e sponzorizuar

Për atë se deri ku kanë shkuar procedurat në këtë drejtim dhe arsyet për vendosjen e këtij lloj tatami janë deklaruar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Në Ministrinë që udhëhiqet nga Besian Mustafa nuk kanë dhënë ndonjë datë se kur do të nis së zbatuari ky projekt, por e kanë konfirmuar se janë në përgatitje të një udhëzimi administrativ.

Thonë se ky udhëzim do të përgatitet duke u bazuar në përvojat më të mira të vendeve të Bashkimit Evropian, të cilat tashmë e kanë aplikuar këtë normë.

“Tatimi për tokat e papunueshme bujqësore, do të vendoset në bazë të Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, NR. 06/L-005, ku edhe është përcaktuar se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) do të përgatitë një udhëzim administrativ në bazë të nenit 10, pika 4 dhe 5 të këtij ligji.

MBPZhR-ja në bashkëpunim me projektin e GIZ-it gjerman “Fuqizimi i menaxhimit të tokës bujqësore”,  do të përgatitë këtë udhëzim administrativ, duke u bazuar në përvojat më të mira të vendeve të Bashkimit Evropian, të cilat tashmë e kanë aplikuar këtë normë”, kanë deklaruar nga MBPZHR’ja.

Me vendosjen e tatimit për tokat bujqësore, Ministria po synon nxitjen e fermerëve kosovarë për t’i punuar tokat bujqësore dhe zvogëlimin e importit të produkteve nga vendet e tjera.

“Kjo politikë publike që do të vendoset në tokat bujqësore, të cilat nuk punohen ka për qëllim të nxisë zhvillimin e tregut të tokës, të punohet toka e cila nuk punohet me misionin e saj ekonomik që është prodhimtaria bujqësore, me qëllim të krijimit të të ardhurave për ekonomitë familjare, zvogëlimin e importit të produkteve bujqësore, etj”, thuhet në përgjigjet e Ministrisë drejtuar Gazetës Express.

Por, këtë projekt e kanë kundërshtuar në Shoqatën e Bujqve. Nga kjo shoqatë e kishin konsideruar të gabuar këtë projekt.

Kryetari i Shoqatës së Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri i kishte thënë Gazetës Express se edhe në këtë proces do të ketë dallavere.

 “Suedia e ka financuar një projekt për bujqit që të paguajnë tokën bujqësore. Ky nuk është stimulim për bujqit e Kosovës, unë kam qenë kundër kësaj praktike, pra në një formë ky është një detyrim për të paguar tatim për tokat jo bujqësore. Ne nuk i kemi standardet e Suedisë. Ka toka të cilat nuk punohen e që shumica prej tyre janë privatizuar nga njerëz të fort të cilët nuk e punojnë. Tash qeveria po dëshiron me pranu këtë projekt ku për neve nuk janë pjek kushtet për një projekt të tillë”, kishte thënë Tahiri.