Mundohuni pak t`a imagjinoni se si do të ishte mbyllja nga pandemia, nëse nuk do të ekzistonte interneti. Në funksion të këtij ushtrimi, fikeni kompjuterin dhe lëreni mënjanëtelefonin juaj celular, dhe kjo do të thotë që mund të mos jeni në gjendje të vazhdoni ta lexoni këtë artikull.
Atëherë përpiquni të imagjinoni një ditë të plotë i mbyllur në shtëpi pa pasur qasje në Facebook, Instagram, Snapchat apo TikTok, pa dërguar të paktën 50 e–maile, pa takime biznesi në platformën Zoom, pa komunikuar me klientët, familjen dhe miqtë tuaj në Skypeapo WhatsApp, pa bërë dot blerje në internet, pa shërbimin e shpërndarjes në shtëpi të produkteve që porosisni, pa u konsultuar me një psikolog apo mjek në platformën tjetër Gruveo, pa grupe mbështetëse apo kurse online gjimnastike në Jitsi, pa takime midis fqinjëve, nxënësve apo prindërve, të nxënësve në Teams, pa vendosur takime të çfarëdo lloji në Tinder, pa klikime, pa parë filma apo serialë televizive etj.
Nëse do të ekzistonin këto ditë të zbrazëta dhe krejtësisht të izoluara; nëse do ekzistonin këto pasdite shumë të qeta, të dominuara nga ëndrrat më sy hapur në vend të punës, atëherë ata do të ngjanin me periudha të tjera të mbylljes në historinë e kaluar.
Ne e dimë që studenti i ri Isak Njuton formuloi hipotezat që e nxitën atë të zhvillonte teorinë e gravitacionit universal pikërisht në ditët boshe që ai kaloi i mbyllur në Chalet Woolsthorpe, gjatë izolimit të vendosur në qytetet angleze gjatë epidemisë së murtajës bubonike midis viteve 1665-1667.
Dhe që Meri Shelli e shpiku historinë e Frankenshtajnit për të shpërqendruar miqtë e saj gjatë një vere të kaluar në izolim në vilën Diodati në Coligny, afër Liqenit Leman në vitin 1816. Shpërthimi i vullkanit Tambora në Indonezi, një vit më parë, kishte nxjerrë në ajër aq shumëhi dhe pluhur squfuri, saqë qytetarët e hemisferës veriore u detyruan të kalonin një “verë pa verë” nëpër shtëpitë e tyre për shkak të temperaturave shumë të ulëta.
Sikur të kishte jetuar në vitin 2020, Njutoni do të kishte harxhuar kohën e tij duke u marrë me kurset që mezi dëgjohen në platformën Zoom, dhe Meri Shelli nuk do të mund të kishte shkruar asnjë rresht, duke qenë vazhdimisht e zënë me përditësimin e statuseve të saj në Instagram, apo duke iu përgjigjur e-maileve dhe mesazheve.
Ne përdorim ende konceptin e vjetër të izolimit, për të përshkruar distancimin social dhe masën e izolimit të shtëpisë të imponuar nga pandemia e Covid-19. Por bllokimi ynë nuk ka asnjë lidhje me izolimet e tjera parandaluese që janë zbatuar më herët si gjatë Epidemisë së Murtajës së Zezë në vitet 1300, murtajës bubonike të shekullit XVII, apo gjatë krizës së të ashtuquajturit Grip Spanjoll midis viteve 1918–1920.
Së pari, ato mbyllje kishin gjithmonë një karakter lokal. Në asnjë rast nuk prekën gati të gjithë planetin, dhe ishin të kufizuara në qytete dhe momente specifike. Së dyti, dhe më e rëndësishmja, që të gjitha ndodhën në një periudhë para lidhjes së botës përmes wireless.
Ata imponuan jo vetëm mbylljen në hapësirën shtëpiake dhe ndarjen fizike midis trupave, por edhe ndërprerjen e proceseve të komunikimit dhe praktikave të përsëritjes shoqërore dhe normalizimit ritual, që ndodhnin më së shumti në hapësirën e rrugës, tregut dhe fabrikave, por edhe shkollës apo ushtrisë.
Përkundër paraardhësve tanë, ne nuk jemi të mbyllur. Ne jemi dixhitalizuar me forcë. Ne nuk ishim të mbyllur në apartamentet tona, por në botën dixhitale. Duke parë pas në kohë, ajo që ne tani e quajmë mbyllje, ka të ngjarë të shihet si një proces tranzicioni global drejt kapitalizmit dixhital, si një ushtrim në pedagogjinë e informacionit të shoqërisë si një e tërë,që i jep fund temave më të fundit moderne fordiste dhe marrëdhëniet e tyre me makinerinë tejloriste të prodhimit (punëtorët e fundit fordistë, të lindur në vitet 1930,1940, 1950 të shekullit XX, janë ata që vdiqën në masë në spitale dhe azile në Lombardi, Valoni apo Girona) dhe që lindi subjektin e ri të kapitalizmit kompjuterik:tele-punëtorit dhe tele-konsumatorit me kohë të plotë të ekonomisë farmako-pornografike, për të cilën të jesh onlineështë forma prioritare e ekzistencës.
Heqja dorë nga ritualet e kontakteve shoqërore dhe zakoneve që prodhuan deri djendjeshmëri ndër-subjektive (nga lokali në teatër, kalimi nga muzeu në restorant) dhe zëvendësimi i tyre me rrjete sociale dhe shpërblime dixhitale (pëlqime, klikime, numri i mesazheve, imazhe që gjenerojnë vetë-kënaqësi) gjenerojnë ankth, çorientim dhe depresion.
Kjo gjë shpjegon ndoshta faktin pse narkotikët, ilaçet e ligjshme dhe të paligjshme, dhe psikoaktive dhe psikotropët janë shtojcat molekulare të nevojshme gjatë izolimit dixhital.
Para Covid-19, ne kemi jetuar në një epokë analoge. Mbyllja shënon hyrjen në një epokë dixhitale, me format e saj specifike të paraqitjes, mbikëqyrjes dhe kontrollit.
Mbyllja e vërtetë në vitin 2020, do të ishte një ndërprerje totale e rrjeteve sociale dhe aplikacioneve kompjuterike:atëherë një Njuton tjetër, do të gjente një ekuacion të ri për një tjetër gravitet ekzoplanetar, dhe një tjetër Meri Shelli do të shkruante një Frankenshtajn të ri. / (Nga Paul B.Preciado “Internazionale” – Bota.al)