Për habinë e Ugur Sahin dhe Özlem Türeci, shtypi gjerman u përqendrua më tepër në rrënjët e tyre turke. “Bota jonë mund të shpëtohet. Nga Mainz. Nga fëmijët e emigrantëve”, shkruante një titull në revistën “Bild”, nga më të shiturat në Gjermani.
Historia e tyre sigurisht që sfidon klishenë e turqve si pronarë të dyqaneve që shesin qebap dhe fruta – perime, edhe pse zoti Sahin dhe zonja Türeci, shefi ekzekutiv dhe shefja mjekësore e kompanisë BioNTech, do të kishin parapëlqyer të lexonin për detajet e zbulimit të kompanisë së tyre që lidhi partneritet me Pfizer, një prodhues amerikan ilaçesh, duke rezultuar në krijimin e një vaksine mjaft efektive kundër Covid-19.
“Ekzistojnë BioNTech të tjerë”, thotë Rosemarie Kay nga IFM, një think-tank në qytetin Bon. Emigrantët kanë shumë më tepër gjasa për të nisur një biznes sesa një gjerman i zakonshëm (shih grafikun). Sipas një studimi të fundit nga banka shtetërore e zhvillimit KFW, një në katër nga 605,000 themeluesit e firmave vitin e kaluar, kishin origjinë të huaj.
Këto nuk janë të kufizuara në ushqime dhe gastronomi. Spotted, e themeluar nga Nik Myftari, një emigrant nga Kosova, është një faqe online për takime. Novum, e krijuar në vitin 1988 nga Nader Etmenan, i cili u arratis nga Irani, është bërë një nga zinxhirët më të mëdhenj të hoteleve në Gjermani.
Emigrantët në Gjermani (si zoti Sahin) ose ata me të paktën një prind të lindur jashtë vendit (si zonja Türeci) arrijnë në 19.6 milionë, që përfaqëson 24% të popullsisë. Një studim nga Fondacioni Bertelsmann, zbuloi se anëtarët e këtij grupi zotërojnë 773,000 biznese. Prej tyre, 469,000 janë tregtarë individualë. Pjesa tjetër janë punëdhënës, kryesisht në ndërtim, shitje me pakicë dhe shërbime. Numri i tyre po rritet. Për krahasim, numri i gjermanëve të tjerë që zotërojnë biznese ra me 275,000 në të njëjtën periudhë, duke arritur në 3.2 milionë.
“Gjermanët nuk e pëlqejnë vetëpunësimin”, thotë Armando Garcia-Schmidt nga Fondacioni Bertelsmann. Shumë të diplomuar zgjedhin një karrierë të sigurt në shërbimin civil, sesa peripecitë e fillimit të një biznesi. Tregu i punës në rritje, në dekadën e kaluar, i ndihmoi të rinjtë e aftë dhe ata të pakualifikuar, të gjenin një punë të denjë pa shumë përpjekje.
Mundësitë për emigrantët zakonisht janë më të kufizuara. Disa vijnë nga vendet me tradita të forta sipërmarrëse dhe kanë si modele, sipërmarrës të suksesshëm. Studime të ndryshme tregojnë se diskriminimi i hapur ose i tërthortë e bën tregun e punës shumë më të ashpër për emigrantët, edhe në kohë të mira. Dhe shumë kanë kualifikime nga vendi i origjinës që nuk njihen në Gjermani, kështu që krijimi i një biznesi është shansi i tyre i vetëm për të fituar më shumë të ardhura.
Zoti Garcia-Schmidt pret që tregu i punës të bëhet më i vështirë për të gjithë, pasi pandemia të jetë zbutur dhe skemat bujare të Gjermanisë të skadojnë. Covid-19 e ka bërë vitin 2020 të tmerrshëm për themeluesit e të gjitha bizneseve. Ndërkohë që vendi del nga recesioni i koronavirusit, më shumë gjermanë vendas mund të zgjedhin vetëpunësimin, si një alternativë ndaj papunësisë. Ata mund të mësojnë një ose dy gjëra nga fqinjët e tyre emigrantë.