Sot hapet aplikimi për tërheqjen e mjeteve nga Trusti, ja pas sa ditësh mund t’i merrni paratë

Aplikimi për tërheqjen e mjeteve prej 10 për qind nga Trusti do të nisë sot nga ora 15:00shkruan Gazeta Express.

Por, pas sa ditësh pas aplikimit do të kryhet pagesa nga Trusti?

Jeton Demi, zëdhënës në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës ka bërë të ditur se të gjithë ata që aplikojnë për këto mjete në ueb faqen e veçantë të krijuar, pagesa nga Trusti do të bëhet 5-7 ditë pas aplikimit

Reklama e sponzorizuar

“Ne mund të informojmë për sa kohë ne bëjmë pagesën. Por nuk mund të përgjigjemi saktë sa kohë merr banka për të autorizuar mjetet që të kalojnë në llogarinë e tyre. Aktualisht jemi duke projektuar që pagesat e para do të bëhen brenda 5 deri 7 ditë, prej momentit të aplikimit të kryhen pagesat për ata kontribuues dhe mjetet të u kalojnë në llogari në banka.

Por do të shihet edhe si do të jetë fluksi, sa kontribuues do të aplikojnë njëkohësisht dhe a do të ketë ndonjë detaj teknik që nuk është parashikuar se mund të na shfaqet, por besojmë që nuk do të kemi vështirësi”, shtoi ai.

Demi, duke shpjeguar për mënyrën e aplikimit për tërheqjen e këtyre mjeteve ka thënë se gjithë procedura do të bëhet online dhe se nuk do të jetë e komplikuar.

“Tërheqja e 10 përqindëshit nga Trusti do të bëhet vetëm online përmes internetit duke filluar prej datës 11 dhjetor, e premte prej orës 15:00. Nuk do të ketë nevojë asnjë prej tyre që të aplikojë fizikisht dhe të vijnë të vizitojnë zyrën e Trustit.”

“Procedurat janë të thjeshta dhe gjithçka që duhet është numri personal i kontribuuesve që aplikon me llogarinë aktive bankare në Kosovë dhe këto janë dy informacionet  me të domosdoshme për aplikim”.

Sipas tij, ligji parasheh që  kontribuuesit të kenë  4 muaj kohë që të aplikojnë për tërheqjen e 10 përqindëshit nga Trusti që i bie deri më datën 6 prill 2021.

Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike i cili mundëson tërheqjen e 10 përqindëshit nga Trusti është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 4 dhjetor. Ky ligj po ashtu parasheh rimbursim të mjeteve të tërhequra  nga Qeveria për të gjitha atë që kanë kursime deri në 10 mijë euro.