Fondi i kursimeve pensionale të Kosovës përmes një njoftimi në facebook ka treguar se kthimi bruto nga investimet për vitin 2020 do të jetë rreth 72 milionë euro.
Sipas tyre bashkë me këtë kthim pozitiv, Trusti kështu arrin në 555 milionë euro kthim bruto nga investimet prej themelimit. Pra në 19 vjet operim, Trusti ka arritur që nga rreth 2 miliardë euro mjete nën menaxhim, më shumë se gjysmë miliardi ta ketë vlerë të shtuar përmes investimeve.
Gjithashtu ata bëjnë të ditur se procesi i aplikimit për tërheqjen e 10%-shit ka vazhduar normalisht. Në total, prej 11 deri më 29 dhjetor kanë aplikuar me sukses 394,978 kontributdhënës me vlerë të shpagimit rreth 184 milionë euro.
Nga kjo vlerë që kontribuuesit e tërheqin përmes 10%-shit, 138 milionë euro janë kontribute që i kanë paguar vetë dhe 46 milionë euro janë fitime nga investimet e mjeteve thuhet në njoftim./Buletini Ekonomik/