Zvicra ndryshon sot listën e karantinës, këto janë shtetet që pritet t’i shtohen

Rreth një javë më parë, kur BAG e futi Portugalinë në mesin e vendeve me rrezik, portugezët që jetojnë në Zvicër qenë revoltuar keq.

Sipas listës, i binte që, në rast se ata gjatë festave të fundvitit do të shkonin për pushime në vendlindje, duhej të llogarisnin që me t`u kthyer në Zvicër, të mbylleshin në karantinë dhjetëditëshe.

Por tani ka shpresë: lista e karantinës do të ndryshojë përsëri sot, shkruan Blick, duke iu referuar “një burimi të mirëinformuar”. Kështu, disa vende do te dalin përsëri nga lista, e cila do të hyjë në fuqi të shtunën, më 19 dhjetor.

Reklama e sponzorizuar

Propozime të reja aktualisht janë duke qarkulluar në zyrat kompetente, transmeton albinfo.ch. Sipas burimit të gazetës së përmendur, nga lista e rrezikut do të hiqen vendet e mëposhtme: Jordania, Maqedonia e Veriut, Polonia, Portugalia dhe Hungaria.

Por nga kjo listë do të dalin gjithashtu edhe rajone të caktuara të vendeve fqinje me Zvicrën, si: territori francez përtej detit Polinezia Franceze, rajoni italian Emilia-Romagna si dhe republikat (landet) federale austriake Kärnten, Austria e Epërme, Salzburgu dhe Steier.

Kjo do të thotë që asnjë republikë e Austrisë nuk është më zonë karantine për Zvicrën.

Por krahas kësaj, tashmë ka një listë tjetër që po qarkullon për konsultim në zyrat zvicerane, përcjell albinfo.ch. Një përshtatje e mëtejshme e listës është planifikuar për 28 dhjetor. Sipas propozimit aktual, Belize, Suedia dhe Turqia do të shtohen në listë. Por edhe Saksonia.

Maqedonia e Veriut ka qenë më së gjati nga vendet e Ballkanit Perëndimor në listën e karantinës në Zvicër. Kjo, për shkakun e numrave të mëdhenj të infeksioneve me koronavirus. Ajo nuk është hequr nga “lista e zezë” kur u hoq Kosova, në fund të shtatorit dhe as në përshtatjen e fundit, kur nga kjo listë u hoq Shqipëria.

Nëse Maqedonia do të hiqet nga lista e rrezikut, do të jetë vendi i tretë ballkanik jashtë kësaj liste, krahas Kosovës dhe Shqipërisë.