Sektori Pensional në Kosovë vlerësohet të jetë sektori i dytë për nga pesha në sektorin financiar. Kështu, ky sektor përbën 27.1 përqind të të gjithsej aseteve të sistemit financiar vendas, përcjell Buletini Ekonomik.
Sipas të dhënave më të fundit nga Banka Qendrore e Kosovës për “Vlerësimin Tremujor të Sistemit Financiar, TM3 2020”, thuhet se asetet e sektorit pensional në vend shënuan rritje vjetore prej 8.5 përqind, duke arritur vlerën prej 2.08 miliardë euro në fund të shtatorit 2020.
Në anën tjetër, vetëm gjatë tremujorit të tretë të 2020-s, asetet e sektorit pensional u rritën për 64.1 milionë euro, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019 kur rritja ishte manifestuar me 43.9 milionë euro, rritje kjo që vinte si rezultat i kthimit pozitivnga investimet dhe arkëtimeve prej kontributdhënësve
Asetet e sektorit pensional përbëhen 99.6 përqind nga asetet e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) dhe vetëm 0.4 përqind nga asetet e Fondit Slloveno Kosovar të Pensioneve (FSKP).
BQK-ja bën me dije se struktura e aseteve e FKPK-së përbëhet kryesisht nga mjetet e investuara jashtë vendit, por që pesha e tyre krahasuar me periudhën paraprake shënoi rënie të konsiderueshme.
Sipas vlerësimeve të BQK-së, rreth 68.0 përqind e mjeteve të FKPK-së janë të mbajtura jashtë vendit, apo rreth 1.41 miliardë euro të alokuara në fonde të përbashkëta investuese, kurse pjesa tjetër e mbetur e mjeteve të investuara brenda vendit që janë gjithsej 32.0 përqind, janë rritur për 6.8 pikë përqindje kundrejt tremujorit të njëjtë të vitit paraprak.
Deri në fund të shtatorit 2020, vlera e investimeve të këtyre mjeteve brenda vendit kishte arritur në 661.5 milionë euro. E pjesa më e madhe e tyre ishin të investuara në fletëobligacione dhe bono të thesarit të Qeverisës së Kosovës, të cilat vetëm gjatë TM3 2020, ishin rritur për 40.5 milionë euro.
Ndërkohë, kategoria e mjeteve të deponuara në sektorin bankar është tkurrur për 12.4 milionë euro në këtë tremujor, përderisa paraja e mbajtur në Bankën Qendrore të Kosovës kishte shënuar rritje për 19.3 milionë euro gjatë TM3 2020.
Edhe shumica e aseteve të Fondit Slloveno Kosovar të Pensioneve (FSKP) janë të investuara jashtë vendit, që përbëjnë 68.1 përqind të gjithsej aseteve, kurse obligacionet e qeverive të huaja dhe të Kosovës përbëjnë 22.6 përqind, dhe pjesa tjetër e mbetur u takon aseteve të tjera.
Gjithashtu, këto asete të këtij fondi u rritën për 123.2 mijë euro gjatë këtij tremujori të fundit të 2020-s, prej të cilave pjesa më e madhe kishin qenë investime në sektorin e brendshëm, thonë nga BQK-ja.
Vetëm gjatë TM3 2020, FSKP-ja kishte realizuar fitim bruto nga investimet në vlerë prej 171.9 mijë euro, që ishte një rënie në krahasim me TM3 2019 që ishin 220.4 mijë euro. Ndërsa, vlera e arkëtimeve të reja nga kontributdhënësit gjatë TM3 2020 arriti në 133.7 mijë euro (137.5 mijë euro në TM3 2019).
“Në këtë tremujor, kontributet e arkëtuara të FKPK-së u shtuan në vlerë prej 47.4 milionë euro, një rritje për 3.2 përqind krahas periudhës së njëjtë të vitit paraprak. Pas humbjeve të konsiderueshme që FKPK kishte nga investimet jashtë vendit në TM1 2020 (-90.4 milionë euro), tregjet financiare filluan rikuperimin dhe FKPK arriti të realizoj fitim rekord prej 70.3 milionë euro në TM2 2020 dhe 32.7 milionë euro në TM3 2020. Deri në shtator të vitit 2020, FKPK shënoi fitim neto nga investimet në vlerë prej 12.5 milionë euro”, përfundon raporti i BQK-së për vlerësimet e sistemit financiar në TM3 2020. (Mirjeta Shabani) /Buletini Ekonomik/