Për menaxhimin e pandemisë, diaspora kosovare që nga prilli i vitit të kaluar ka kontribuuar me 717 mijë euro në Thesarin e shtetit. Por, edhe pse të nevojshme, mbi 511 mijë euro prej tyre ende nuk janë shfrytëzuar. Për 30-përqindëshin e shpenzuar nga këto mjete nga Ministria e Shëndetësisë nuk kanë pranuar të flasin, përderisa kryeministri Avdullah Hoti ka deklaruar se do të ketë transparencë të plotë
Prishtinë, 6 janar – 70 për qind e Fondit të Diasporës që është dërguar në Kosovë për menaxhimin e pandemisë COVID-19 ende nuk është shfrytëzuar.
Që nga prilli i vitit të kaluar, kur ish-kryeministri, Albin Kurti, kërkoi nga diaspora ndihmë financiare, në këtë fond janë mbledhur 717 mijë euro, prej të cilave 515 ende nuk janë shpenzuar.
Nga Ministria e Financave kanë thënë për KOHËN se mjetet janë duke u ruajtur në nënllogarinë e Thesarit të Shtetit dhe se kurdo që shfrytëzohen do të shpenzohen vetëm për menaxhim të pandemisë.
“Nga këto mjete, shuma prej 667,115.70 € janë pranime të jashtme (individë jashtë Kosovës, kryesisht diaspora) dhe shuma 50,658.23 € janë pranime të brendshme (brenda Kosovës). Në shumën prej 511,681.50 € nuk ka pasur mjete të shpenzuara, dhe të cilat barten për vitin 2021. Këto mjete janë të dedikuara të shpenzohen për ta menaxhuar pandeminë COVID-19, bazuar në legjislacionin në fuqi”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave.
Nga Ministria e Shëndetësisë nuk kanë pranuar të flasin për 206 mijë eurot e shpenzuara nga ky fond, pavarësisht insistimit të KOHËS.
Madje as në konferencën për media që mbajti të mërkurën, ministri Zemaj nuk u përgjigj nëse Ministria ka planifikuar shpenzimin e mjeteve të mbetura, pavarësisht nevojës.
Por kryeministri Hoti tha se shpenzimi i këtij fondi do të bëhet në transparencë të plotë.
“Ato mjete janë pjesë e buxhetit të Kosovës, edhe për vitin 2021 ne e kemi Fondin për rimëkëmbje ekonomike, ku përfshihet edhe pjesa e buxhetit të shëndetësisë, siç kemi vepruar edhe në vitin 2020. Edhe sivjet do të shpërndahet me transparencë të plotë në bazë të vendimeve të Qeverisë dhe prioriteteve që ne i vendosim për mbështetje të qytetarëve dhe bizneseve”, ka thënë kryeministri Hoti.
Në llogarinë e Fondit të Diasporës janë pranuar edhe mbi 118 milionë euro të granteve apo kredive ndërkombëtare të dedikuara për menaxhimin e pandemisë, disa prej të cilave janë destinuar për shpenzim me buxhetin e vitit 2021.