Abrashi: Nesër do të ketë marrëveshje sesi do të mbështeten operatorët e transportit rrugor

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, pas një takimi të zhvilluar sot me udhëheqësit e Shoqatës së transportit rrugor të udhëtarëve, ka thënë se nesër do të ketë një marrëveshje mbi parimet, se si do të mbështetën operatorët e transportit rrugor të udhëtarëve.

“Anëtarët e kësaj shoqate kanë pësuar humbje të mëdha shkaku i pandemisë, pastaj edhe për shkak të vendimeve të qeverisë për masat anti-covid, e kjo ka ndikuar në humbje të tyre. Në kuadër të mundësive buxhetore që kemi pasur i kemi bërë disa lirime vitin e kaluar, duke i ndihmuar këta operator t’i ruajnë vendet e punës”, tha Abrashi.

Ai bëri të ditur se pas diskutimeve që kanë pasur edhe me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, dhe ministren e Financave, Hykmete Bajrami, kanë hartuar një kornizë që parasheh një formë të kompensimit.

Reklama e sponzorizuar

“Kjo kornizë parasheh që këto kompani të ndihmohen në kuadër të pakos për rimëkëmbje ekonomike në kuadër të kilometrave që i bëjnë. Nesër do të kemi një marrëveshje të parimeve, kurse të hënën dorëzojmë planin detal në kryeministri dhe ministri të Financave. Mendoj se është një ditë e mirë për mbi 400 kompani, rreth 6 mijë punëtorë, që do të mbështetën duke i ruajtur vendet e punës”, tha Abrashi.

Vitin e kaluar me vendim të ministrit Abrashi të gjithë transportuesit rrugor të udhëtarëve janë liruar nga rendet e udhëtimit për 3 vite, duke i ndihmuar për t’i ruajtur vendet e punës.