ATK-ja inkason 78 milionë euro më pak të hyra, shkak pandemia

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i ATK-së Ekrem Hysenaj, ka mbajtur konferencë për medie, në të cilën ka prezantuar aktivitetet e zhvilluara, si dhe rezultatet e arritura të ATK-së gjatë vitit 2020, raporton Ekonomia Online.

Ai ka thënë se si pasojë e pandemisë për periudhën janar-dhjetor të hyrat në vitin 2020 janë zvogëluar për 78 milionë euro.

“Gjatë vitit 2020 ka qenë një vit sfidues për shkak të pandemisë dhe si rezultat jemi ndikuar si ATK. Të hyrat janar-dhjetor 2020 kanë qenë më të zvogëluara dhe në këtë rast me planin e rishikuar kanë qenë 491 milionë euro, kurse realizimi ka qenë 467 milionë euro”.

Reklama e sponzorizuar

“Pjesëmarrje më të madhe sipas tatimeve ka tatimi mbi vlerën e shtuar. Kemi 78 milionë euro më pak apo 14% zvogëlim të të hyrave”.

Ai ka shtuar se për periudhën mars-nëntor ka pasur një rënie të qarkullimit prej 1 miliardë euro.

“Në muajin janar-shkurt kanë qenë qarkullimi më i madh në krahasim me vitin paraprak, ndërsa me fillimin e pandemisë ka rënë qarkullimi dhe me lirim e masave prapë ka filluar rritje e qarkullimit por me suaza më të vogla krahasuar me vitin 2019”, ka thënë Hysenaj.

“Për periudhën janar-nëntor kemi një rënie të qarkullimit prej 1.1 miliardë euro. Inkasimi i borxheve në vitin 2019 ka qenë 103.4 milionë ndërsa në vitin 2020, 94 milionë euro”, tha ai, raporton EO.

Ai ka përmendur edhe disa prej sektorëve që kanë pasur rënien më të madhe gjatë pandemisë.

“Sektorët më të prekur është sektori argëtimit me rënie 66%, i patundshmërisë 27,9 dhe sektori i shërbimit ushqimor 37%”.