Bombolat e rrezikshme të gazit me kontroll minimal

Përdorimi i gazit në Kosovë shihet si mjaft shqetësues për shkak të rrezikshmërisë që ka, e i cili shpeshherë ka shkaktuar edhe incidente të ndryshme.

Rasti i fundit ishte ai në Ferizaj, ku nga shpërthimi i një bombole gazi në një lokal kanë mbetur dhjetëra persona të lënduar.

Këto pajisje përdoren mjaft shumë edhe në Prishtinë.

Reklama e sponzorizuar

Shumica e lokaleve, restoranteve dhe hoteleve përdorin gazin për kuzhinë, por edhe për ngrohje.

Megjithatë, në pikëpyetje është mbikëqyrja ndaj tyre.

Udhëheqësi i Inspektoratit të Energjisë në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit (MEA), Hysni Komoni, thotë se kjo gjë është e pamundur të bëhet pasi kanë vetëm një inspektor.

Sipas tij, ligji thotë se shfrytëzuesi i pajisjes nën presion është plotësisht përgjegjës për përdorimin dhe shqyrtimin e saj.

“Ne e kemi vetëm një inspektor, por ligji e ka paraparë dhe ai është me direktiva evropiane dhe thotë se shfrytëzuesi është përgjegjës”, ka thënë Hysni Komoni, udhëheqës i Inspektoratit të Energjisë në MEA.

Në të shumtën e rasteve shpërthimi i tyre vjen shkaku se ato nuk ruhen dhe përdoren në mënyrë jo të duhur. Madje, nuk guxon të përdoren pa u shqyrtuar nëse janë më të vjetra se 10 vjet.

Komoni tregon gjithashtu se ato kurrsesi nuk duhet të mbushen nëpër pompat e benzinës, por Kosova nuk ka ndonjë trup autorizues i cili do të mund t’i shqyrtonte ato.

“Ato vërtet që i mbushin, nuk kanë të drejtë. Ne gjithmonë me raportet e inspektimit i kemi informuar se në bazë të ligjit ndalohet mbushja e bombolave të gazit me pakicë. Por problemi është se ne nuk kemi trupa të autorizuara të mjaftueshme për t’iu dalë në ballë qytetarëve. Deri më tani e kemi pasur vetëm një trup të autorizuar në Suharekë, për mbushje dhe shqyrtim të bombolave të gazit. Por shumë pak njerëz kanë dërguar atje bombola të gazit për t’i shqyrtuar. Atij i ka skaduar afati dhe pas rastit të Ferizajt, ai ka aplikuar përsëri të marrë autorizimin, sepse i plotëson kriteret”, ka shtuar Komoni.

Por deri më tash nuk ka pas ndonjë udhëzues për t’i vetëdijesuar qytetarët se si përdoren ato.

Në anën tjetër, njohës i çështjeve të sigurisë, Tahir Ahmeti thotë se duhet të ketë më shumë kontrolle, në mënyrë që të evitohen fatkeqësitë.

“Duhet të kemi mjaft kujdes, janë mjaft të rrezikshme. Duhet që inspektorët për parandalimin e zjarrit të bëjnë vizita më shumë ku mbahen këto bombola, në mënyrë që të shihet cilësia e tyre dhe a janë përdorimet adekuate në mënyrë që në të ardhmen të mos ketë ndonjë tragjedi më të madhe”, ka deklaruar Tahir Ahmeti, njohës i çështjeve të sigurisë.

Ndërsa qytetarët thonë se ndihen të rrezikuar pasi përdorimi i bombolave është mjaft i rrezikshëm.

Pas rastit të Ferizajt, Inspektorati janë duke punuar për vetëdijesimin e qytetarëve mbi përdorimin e gazit.