Gjermania paralajmëron mbylljen e kufijve me fqinjët

Gjermanisë mbase do t’i duhet të mbyllë kufijtë me vendet fqinje, nëse ato nuk marrin masa për të frenuar përhapjen e koronavirusit, tha të enjten shefi i stafit të kancelares gjermane, Angela Merkel.

Helge Braun tha për televizionin ARD se është e rëndësishme të vendoset nën kontroll situata në mënyrë që vendet të mbronin veten nga varianti i ri i koronavirusit, shumë më i transmetueshëm.

“Rreziku është që kur numri i të infektuarve në një vend të rritet, ky mutacion i virusit bëhet dominues dhe atëherë infeksioni nuk mund të kontrollohet më”, tha ai, duke shtuar se rregullat më të rrepta të hyrjes në Gjermani janë të pashmangshme.

Reklama e sponzorizuar

Që nga muaji nëntor 2020, Gjermania ka vendosur masa të ashpra të izolimit duke mbyllur restorantet dhe qendrat e sportit, ndërsa prej mesit të dhjetorit edhe shkollat dhe shumicën e dyqaneve.

Varianti i ri i koronavirusit fillimisht është identifikuar në Britani të Madhe dhe Afrikën Jugore. Ekspertët kanë thënë se ai është shumë më ngjitës se varianti i parë mirëpo përgjithësisht ka simptoma të njëjta dhe nuk është më i rrezikshëm./REL