Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur se varianti i ri i COVID-19 është përhapur në 60 vende të botës. Derisa ky variant është përhapur në shpejtësi, infektologë në vend thonë se shumë shpejt do të verifikohet se një variant i ri i këtij virusi është i pranishëm edhe në Kosovë. Ndërsa, vendi tashmë ka dërguar 30 mostra me COVID-19 në Berlin. Rezultati pritet të tregohet pas 2 javësh, raporton Gazeta Express.
Varianti i ri i COVID-19 i përhapur fillimisht në Britaninë e Madhe, shumë shpejt ka filluar të përhapet edhe në shtetet tjera.
Derisa shtetet tjera i kanë verifikuar rastet e infektuara me këtë virus, tashmë ka dyshime se ai mund të jetë i pranishëm edhe në vend.
Infektologu Hamdi Ramadani, ka thënë për Express se edhe në vendin tonë mund të jetë i pranishëm një variant i ri i COVID-19, i cili do të identifikohet shumë shpejt.
Ai ka thënë se pasi në muajin mars është zbuluar rast i parë me COVID-19 në vend dhe ka kaluar kaq shumë kohë që ai është prezent, virusi shfaqet në forma të ndryshme të cilat quhen mutacione.
Sipas tij, mund të ndodh që kjo formë e re të jetë e njëjtë me variantin në Britani, por që mund të jetë edhe formë tjetër e virusit.
“Muajin që kaloi Britania e ka identifikuar edhe një formë të re të koronavirusit. Pastaj para disa ditësh e kanë identifikuar edhe në Gjermani këtë virus dhe në shumë vende të tjera. Edhe në vendin tonë me siguri me një numër kaq të madh të të infektuarve ekziston dhe do të identifikohet shumë shpejtë një formë e re e koronavirusit, që në mjekësi quhet mutacion. Mund të jetë edhe ndonjë mutacion tjetër në vend me qenë se ka zgjat aq shumë pandemia. Por a do të jetë ai i Britanisë apo tjetër mbetet të shihet”, ka deklaruar ai.
Ramadani ka thënë se sa më shumë që një virus qëndron i përhapur, e ndërron strukturën e tij.
Ai ka thënë që është e rëndësishme që nga tani brenda 100 ditëve të filloj vaksinimi në vend, në mënyrë që qytetarët që nuk janë infektuar me COVID-19 të jenë të mbrojtur nga ai.
“Çdo shkencëtar e din që viruset paraqesin mutacione gjenetike. Nuk duhet të merret me shumë shqetësime kjo sepse si çdo virus, edhe koronavirusi me kalimin e kohës jep forma epidemike që quhen mutacione që nuk duhet të paraqesin ndonjë rrezik. E rëndësishme është që sa mëherët të fillohet vaksinimi. Unë besoj që në një interval prej 100 ditësh nëse fillohet vaksinimi i atyre që nuk janë me COVID-19, do të krijohet një situatë mjaftueshëm e mbrojtur për personat që nuk janë infektuar”, ka theksuar ai.
Tutje, Ramadani ka thënë se qytetarët duhet të respektojnë masat mbrojtëse, të mbajnë maskën e distancën në mënyrë që mos të infektohen me virus, derisa ka thënë se ne zbulimin e vaksinave virusi mund të ndalet.
Në anën tjetër, derisa Kosova nuk mund të detektojë variantin e ri të COVID-19, 30 mostra të pacientëve të infektuar me këtë virus janë marrë të hënën nga ekipe të një laboratori në Berlin.
Këto mostra thuhet të kenë mbërritur sot në Berlin, ku edhe do të shihet nëse një variant i ri i virusit është prezent në vend.
Drejtori i Departamentit të Mikrobiologjisë, Xhevat Jakupi, ka thënë se testimi i këtyre mostrave nuk është i lehtë, andaj edhe kërkon 2-3 javë kohë.
Ai ka thënë se nuk e dinë se kur do të njoftohen për rezultatet e mostrave, derisa ka thënë se edhe në muajin e ardhshëm do të dërgojnë mostra tjera në Berlin.
Në anën tjetër, zyra për informim në Ministrinë e Shëndetësisë i ka thënë gazetës se tashmë kanë pezulluar linjat ajrore me Britaninë e Madhe dhe është caktuar se ndaj cilave shtete do të kërkohet testi PCR për të hyrë në Kosovë.
“Edhe me vendimet e fundit të Qeverisë dhe MSh-së është përcaktuar se ndaj cilave shtete kërkohen testet PCR si parakusht për të hyrë në Kosove dhe institucionet zbatuese të këtyre masave janë të obliguara që të veprojnë duke filluar nga kontrollimi korrekt kufitar, zbatimi i masave mbrojtëse parandaluese, testimi i rasteve te dyshimta, gjurmimi i rasteve të kontaktit”, është thënë nga kjo ministri.
Kujtojmë që varianti i ri i COVID-19 është vlerësuar të jetë për 70 për qind më i transmetueshëm se ai aktual, mirëpo nuk ka ende prova se është më vdekjeprurëse ose më i rëndë se varianti ekzistues.