Kërcënime me greva, shkaku i shtesave të Qeverisë për disa sektorë

Afro 10 milionë euro është shuma që Qeveria në detyrë i ka ndarë si shtesa për punonjësit shëndetësorë, si dhe ata të policisë që po shërbejnë gjatë pandemisë. E, partitë politike, ende pa filluar zyrtarisht fushata për zgjedhjet e 14 shkurtit, po japin premtime për mbështetje financiare ndaj kategorive të ndryshme.

Por shoqëria civile kërkon nga qytetarët që të mos u besojnë shumë këtyre zotimeve, pasi vlerësohet se ato pritet të kenë efekt vetëm elektoral.
Mexhide Demolli – Nimani, drejtoreshë e lëvizjes “FOL” thotë se asnjë parti politike nuk duhet ta konsiderojë buxhetin e shtetit si pronë të sajën.

“Kemi një buxhet të miratuar për vitin 2021 dhe rishikimi i tij do të bëhet tek në periudhën maj-qershor. Andaj do të doja që qytetarët të mos bien shumë pre e këtyre premtimeve elektorale, që zakonisht partitë politike dinë t’i bëjnë, sepse nuk mund të bëjnë mrekulli brenda një periudhe tremuajshe për çfarëdo lloj shtese që u premtohet në këtë rast”, ka deklaruar Nimani – Demolli.

Reklama e sponzorizuar

Pakoja e rimëkëmbjes ekonomike, në kuadër të buxhetit 2021, parasheh vetëm 86 milionë euro në formë të subvencioneve për bizneset dhe qytetarët e prekur nga pandemia. Pas ndarjes së shtesave për mjekët e policët, një gjë të tillë po e kërkojnë së fundmi edhe rreth 20 mijë shërbyesit civilë të shtetit.

Ali Gashi, kryetar i Sindikatës së Administratës Publike, që përfaqëson këta punonjës, e ka kërcënuar Qeverinë në detyrë me grevë, në rast se nuk pranohet kërkesa e tyre. “Greva është një formë dhe masë sindikale e cila do të aplikohet, duke mos përjashtuar që në rast se qeveria vërtet do të injorojë kërkesat tona, nuk përjashtohet mundësia që të bëjmë ftesë që t’i bojkotojnë edhe zgjedhjet e 14 shkurtit. Vërtet shërbyesit civilë janë shumë keq”, ka thënë Gashi.
Mospërfshirja në këtë pako e punonjësve të administratës publike, sipas Gashit, përbën diskriminim. Kërkesë tjetër e kësaj sindikate është nënshkrimi i marrëveshjes së përgjithshme kolektive.

“Pse shërbyesit civilë janë anashkaluar? A mund të implementohet Ligji për Parandalimin e Pandemisë pa inspektorë, si ka mundësi që inspektorët të mos përfshihen kur inspektorët janë 24 orë në detyrë bashkë me policë, ditën dhe natën. Si ka mundësi të anashkalohen punëtorët e qendrave sociale, të cilët janë marrë çdo ditë me kategoritë më të ndjeshme mbi shpërndarjen e ndihmave dhe skemave pensionale, rojat e pyllit, zjarrfikësit”, ka shtuar tutje Gashi.

Në prag të zgjedhjeve, partitë politike kanë premtuar rritje të pagave në sektorë të caktuar, si dhe buxhet miliardësh për rimëkëmbje ekonomike. Në fushatat zgjedhore të disa palë zgjedhjeve me radhë politikanët kanë dhënë premtime, të cilat janë vlerësuar se nuk kanë qenë në përputhje me realitetin.