Mbahet fshehtë kontrata kolektive


Dy ditë pas nënshkrimit të kontratës kolektive mes Qeverisë dhe Sindikatës së Arsimit, ky dokument po mbahet fshehtë. Asnjëra nga palët nënshkruese nuk e ka publikuar këtë dokument.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, në një prononcim për KOHËN, ka thënë se Sindikata nuk e ka këtë kontratë dhe se ajo ndodhet në Qeveri. Sipas tij, të hënën pritet të përfundohen disa detaje dhe të protokollohet.

Edhe zëdhënësja e Qeverisë, Antigona Baxhaku, përmes një përgjigjeje me shkrim ka thënë se Zyra e kryeministrit nuk e ka këtë dokument, duke sugjeruar t’i drejtohemi Ministrisë së Arsimit apo SBASHK-ut.

Reklama e sponzorizuar

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj, dhe kabineti i tij nuk janë përgjigjur nëse e kanë këtë dokument.

Mëngjesin e së premtes kryeministri Avdullah Hoti pati një takim me përfaqësuesit e SBASHK-ut ku edhe nënshkruan kontratën kolektive.

Përveç të tjerash, Qeveria bëri të ditur se janë pajtuar që të punësuarve në arsimin parauniversitar t’u paguhet paga e 13-të, duke filluar nga vitit 2023, bazuar në performancën e tyre. Po ashtu, edhe shujtën ditore dhe shpenzimet e transportit.

“Kryeministri Hoti theksoi po ashtu se janë dakorduar që për shkak të orëve të shtuara të arsimtarëve, si pasojë e pandemisë, zbatimit të modaliteteve të ndryshme të arsimit, arsimtarëve t’u paguhen dy shtesa në pagë, njëra në fund të muajit shkurt dhe tjetra në fund të majit, në mënyrë lineare për të gjithë, në përputhje me mundësitë buxhetore”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Në nivelin parauniversitar janë gjithsej 28 mijë punëtorë të arsimit. Kërkesa e SBASHK-ut ka qenë që secili punëtor i këtij sektori të paguhet nga 100 euro shtesë gjatë pandemisë. Në bazë të kësaj i bie që Qeveria do të paguajë afro 3 milionë euro në muaj vetëm për shtesa.

Tash e një muaj Sindikata e Arsimit kishte paralajmëruar grevë në arsim nëse Qeveria nuk nënshkruan kontratë kolektive me këtë sektor, si dhe t’u ndajë shtesa. Kjo, me arsyetimin se edhe punëtorët e arsimit e kanë rrezikuar shëndetin e tyre duke punuar në shkolla gjatë pandemisë.