Problemi me paga të punëtorëve të kombinatit metalurgjik “Trepça” është duke vazhduar edhe më tutje. Ndonëse kanë kaluar 14 ditë qysh nga koha kur ata është dashur që t’i marrin pagat për muajin dhjetor, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.
Këtë e ka konfirmuar për Express, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës”, Gani Osmani. Ai tha se tani punëtorët e kanë bërë një marrëveshje me drejtorin e përgjithshëm të kombinatit “Trepça”, që të presin më së largu deri më 20 janar për pagat e tyre.
“Ne kemi mbetur pa i marr ende pagat e muajit dhjetor. Punëtorët me drejtorin e ri të Trepçës, Nexhat Dedia kanë bërë marrëveshje që të presin për paga deri më 19 ose me 20 janar varësisht se kur do të shitet një koncentrat i xeheve dhe të nxirren para. Aktualisht ne jemi duke punuar me mjete tona dhe pa paga nga Trepça e as nga Qeveria. Jemi në gjendje të vështirë por po presim deri më atë datë”, ka thënë ai për Express.
Më tutje ai theksoi se arsyeja pse ata kanë mbetur pa paga është vonesa në bluarjen e koncentrateve të xeheve që janë nxjerr nga miniera.
“Arsyeja pse ne kemi mbetur pa paga është mos arritja e bluarjes së koncentrateve të xeheve që janë nxjerr nga miniera dhe mos shitja e tyre”, ka deklaruar ai për Express.
Probleme me paga punëtorët e Trepçës kanë pasur edhe gjatë vitit 2020. Në nëntor të vitit të kaluar rreth 900 punëtorë të këtij kombinati ishin futur në grevë për shkak të mos marrjes së rrogave.
Po atë muaj kishte dhënë dorëheqje nga pozita ushtruesi i detyrës se drejtorit në minierën e Trepçës, Hysen Vrajolli, teksa Qeveria ndërhyri me mjete financiare për të paguar pagat e tyre.