Me këtë muaj bëhet një vit prej kur Qeveria nuk i ka sistemuar katër sekretarë të përgjithshëm që kishin mbetur pa vend pune pas reduktimit të numrit të ministrive. Duke qëndruar në shtëpi, ata kanë marrë pagë të plotë gjatë gjithë kësaj kohe e nuk janë sistemuar, ndonëse ka shumë pozita sekretarësh ose të barasvlefshme me to që funksionojnë me ushtrues detyre.
Hajriz Koca është njëri nga ta dhe thotë të jetë në pritje të Qeverisë për ta sistemuar në një pozitë të lartë drejtuese.
“Ne prej datës 19 shkurt nuk jemi duke e ushtruar pozitën e sekretarit, pas ndryshimeve që kanë ndodhur në Qeveri, pas ristrukturimit të Qeverisë, zvogëlimit të ministrive”, thotë Koca. “Prej asaj date ne nuk kemi ushtruar asnjë funksion. Ndërkohë, jemi në pritje të risistemimit tonë, ricaktimit në pozita të ngjashme ose ekuivalente, gjë që nuk ka ndodhur deri më tani”.
Të enjten, kur Qeveria e mbajti një mbledhje me korrespodencë, e pati në rend dite edhe sistemimin e katër sekretarëve.
Hajriz Koca ishte propozuar në pozitën kryeshef i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit; Betim Reçica kryeshef në Agjencinë Kosovare të Standardizimit; Arton Berisha drejtor i përgjithshëm në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, ndërkaq Kushtrim Cukaj kryeshef i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar.
Por vendimi nuk është marrë dhe Qeveria nuk ka dhënë një arsye për këtë mungesë vendimmarrjeje.
Mossistemimi ka dy pasoja. Shkaku që nuk janë ricaktuar në detyra sekretarët, Ministria e Punëve të Brendshme ka bllokuar të gjitha konkurset për pozitat e larta drejtuese.
“Ministria e Punëve të Brendshme si institucion përgjegjës për zhvillimin e procedurave të rekrutimit të nivelit të lartë drejtues në institucionet e administratës shtetërore, nuk do të lejojë njoftimin dhe shpalljen e konkurseve, derisa në listën pritëse të ketë nëpunës që nuk janë sistemuar, e të cilët kanë mandat sipas vendimit për emërimin e tyre”, thuhet në një njoftim të ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Agim Veliu
Pasoja e dytë lidhet me buxhetin. Ndonëse të katër sekretarët kanë qëndruar në shtëpi, secili nga ta në secilin prej 12 muajve ka realizuar pagë së paku 1290 euro. Kësisoj, vetëm në këtë rast, nga mungesa e vendimmarrjes në Qeveri, në total buxheti i shtetit është dëmtuar për 62 mijë euro.
Hajriz Koca e përmend edhe komponentin e dëmtimit të buxhetit.
“Përderisa ministritë janë me ushtrues detyre dhe ne paguhemi, pa dyshim që po. Pa dyshim që dëmtohet buxheti i Qeverisë. Mirëpo ligji është i saktë në këtë drejtim, prandaj pagesat për ne janë bërë, ashtu si janë bërë, në bazë të ligjit. S’ka pasur zgjidhje tjetër”, thotë Koca. “Ne kemi qenë të gatshëm që nga dita e parë të angazhohemi në punë, mirëpo kjo nuk ka ndodhur”.
Përderisa ka të këtilla dëme, shumë pozita sekretarësh funksionojnë me ushtrues detyre, një numër jo i vogël nga të cilët janë njerëz të afërt të partive në pushtet.