Cilat janë sipërmarrjet shqiptare që kanë zgjeruar aktivitetin në Kosovë. Si e vlerësojnë ata tregun. Një ndër problemet më të mëdha, me të cilat ata po përballen është paqëndrueshmëria politike dhe vendimmarrja
Pas pavarësimit faktik të Kosovës nga Serbia, biznesi shqiptar e pa Kosovën si një treg me oportunitete të reja. Megjithatë, ende sot e kësaj dite, kapitali shqiptar nuk ka një peshë shumë të madhe në tregun e Kosovës. Sipas të dhënave nga Banka Qendrore e Kosovës, për vitin e kaluar, investimet shqiptare në Kosovë, në terma neto, kishin vlerën e 15.2 milionë eurove, në rënie me 32% krahasuar me vitin 2018.
Investimet shqiptare përbënin rreth 6% të Investimeve të Huaja Direkte vitin e kaluar, ndërkohë që patën dhënë kontributin më të madh në periudhën 2014-2016, me rreth 13% të totalit të investimeve të huaja në Kosovë. Që nga viti 2007, deri në vitin 2019, kompanitë dhe individët shqiptarë kanë investuar 245 milionë euro dhe renditen si investitori i gjashtë më i madh në Kosovë.
BURIMI: BQK
Shqipëria nuk ka arritur t’i shfrytëzojë shanset e Kosovës si një treg i ri eksporti. Statistikat tregojnë se importet nga Shqipëria, në vitin 2019, përbënin 6.4% të importeve totale për vitin 2019. Ky është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë, i nxitur sidomos nga taksa 100% e Kosovës ndaj mallrave serbe, që i detyroi importuesit dhe distributorët të kërkonin alternativa të tjera. Megjithatë, të dhënat treguan se përfituesi kryesor nga taksa ndaj mallrave serbe në rajon rezultoi Maqedonia e Veriut.
Vështirësitë e prodhuesve shqiptarë për të konkurruar mallrat e vendeve të tjera fqinje në tregun e Kosovës dëshmojnë zhvillimin e dobët dhe konkurrueshmërinë e ulët të sektorit prodhues në Shqipëri. Eksportet shqiptare mbështeten kryesisht tek fasonët dhe eksporti i lëndëve të para, ndërsa mallrat që marrin vlerë të shtuar nga përpunimi në vend ngelen në pakicë në strukturën e eksporteve.
BURIMI: ASK
Prania shqiptare mes ndërmarrjeve më të mëdha në Kosovë është e përqendruar kryesisht në tregtinë me shumicë dhe pakicë, me përjashtim të investimit madhor të grupit Balfin në industrinë e nxjerrjes dhe përpunimit të nikelit.
Tobacco Holding Group
Sipas renditjes nga Administrata Tatimore e Kosovës, kompania shqiptare me xhiron më të lartë në tregun e Kosovës për vitin 2019 ishte Tobacco Holding Group. Megjithatë, pasqyrat financiare të kësaj kompanie nuk ishin të disponueshme. Tobacco Holding Group në Kosovë dhe kompania mëmë në Shqipëri nuk iu përgjigjën kërkesave të dërguara nga revista “Monitor” për të na vënë në dispozicion bilancin e vitit 2019.
Tobacco Holding Group është e pranishme në tregun e Kosovës prej vitit 2005. Ajo vepron si distributor ekskluziv i kompanisë së prodhimit të cigareve British American Tobacco (BAT) dhe i grupit të prodhimit dhe shpërndarjes së pijeve alkoolike, Pernod Ricard.
Tobacco Holding Group Kosovë është kompani e kontrolluar nga Tobacco Holding Group në Shqipëri, kompani me aksioner biznesmenin shqiptar Lirim Fezollari. Kjo kompani është distributor për tregun shqiptar të grupeve të mallrave të konsumit, si BAT, Pernod Ricard, Henkel, Unilever, etj. Për vitin e kaluar, Tobacco Holding Group në Shqipëri realizoi një xhiro prej 5.9 miliardë lekësh dhe fitim para tatimit në vlerën e 65 milionë lekëve.
Newco Ferronikeli Complex L.L.C.
Kompania e dytë më e madhe me kapital shqiptar në tregun e Kosovës për vitin e kaluar ishte Newco Ferronikeli Complex L.L.C. Aktivitetet e kompanisë, në parim, përfshijnë eksplorimin, nxjerrjen, përpunimin e xehes nikel dhe shitjen e ferro-nikelit, lëndës së parë dhe produkteve dytësore. Për vitin 2019, ajo raportoi xhiro totale në vlerën e 7.2 milionë eurove, në rritje të fortë me 96% krahasuar me vitin 2018. Diferenca vjen sidomos prej faktit që, gjatë vitit 2018, kompania ka operuar vetëm pesë muaj. Puna nisi vetëm në muajin korrik, pasi kompania u ble nga grupi Balfin.
Pavarësisht rritjes së lartë të xhiros, kompania rezultoi sërish me humbje edhe për vitin 2019. Humbja preku nivelin e 14 milionë eurove, por megjithatë në përmirësim krahasuar me vitin 2018, kur humbjet patën arritur vlerën e 34.5 milionë eurove.
Kompania raportoi një fitim të lehtë operativ, por humbja u përcaktua nga shpenzimet e amortizimit dhe zhvlerësimit, si dhe shpenzimet financiare të lidhura kryesisht me interesat e kredive dhe humbjet nga kursi i këmbimit. Në fund të vitit 2019, kompania kishte kredi totale për vlerën e 59 milionë eurove, ndërsa shpenzimet vjetore për interesat arritën në 8.1 milionë euro.
Newco Ferronikeli Complex L.L.C. zotërohet nga grupi shqiptar i biznesit Balfin, përmes kompanisë së regjistruar në Britaninë e Madhe, NKL Limited.
Neptun Kosova
Kompania e tretë më e madhe shqiptare për nga xhiroja në Kosovë i takon përsëri grupit Balfin. Neptun Kosova ka aktivitet të tregtimit me pakicë të pajisjeve elektronike dhe elektroshtëpiake. Kompania, për vitin 2019, realizoi një xhiro në vlerën e 44.6 milionë eurove, në rritje me 6.5% krahasuar me një vit më parë.
Kompania është fitimprurëse, me një rezultat financiar pozitiv prej 2.9 milionë eurosh, në rritje me 8.6% krahasuar me vitin 2018. Neptun Kosova zotërohet në masën 60% nga grupi Balfin, ndërsa 40% e aksioneve mbahen nga ortakët e Samir Manes në disa prej bizneseve rajonale, Arsim dhe Ilir Papraniku. Neptun është kompania më e madhe e tregtimit të pajisjeve elektroshtëpiake edhe në Shqipëri, me një qarkullim prej 7.1 miliardë lekësh në vitin 2019.
Kosmonte Foods
Kompania e katërt më e madhe me kapital shqiptar në tregun e Kosovës për nga xhiroja është Kosmonte Foods, me aktivitet në distribucionin e produkteve ushqimore. Për vitin 2019, Kosmonte në Kosovë realizoi xhiro totale në vlerën e 40.2 milionë eurove, në rritje me 6.6% krahasuar me vitin 2018. Rezultati financiar i kompanisë para tatimit ishte pozitiv për 2.6 milionë euro. Fitimi i Kosmonte Foods u rrit me 14.5% krahasuar me vitin 2018.
Kosmonte Foods në Kosovë është në pronësi të plotë të biznesmenit shqiptar, Lulzim Begaj. Kompania ka një aktivitet të ngjashëm edhe në Shqipëri, por me xhiro ndjeshëm më të ulët krahasuar me Kosovën. Për vitin 2019, Kosmonte në Shqipëri raportoi shitje në vlerën totale të 1.5 miliardë lekëve.
Banka Kombëtare Tregtare
BKT-Kosovë është kompania e pestë shqiptare për nga xhiroja dhe e fundit që bën pjesë në listën e 50 kompanive më të mëdha në Kosovë. Megjithëse Banka Kombëtare Tregtare është kompani me kapital turk, në pronësi të grupit Çalik, biznesi në Kosovë është pjesë e bankës shqiptare dhe zyrtarisht klasifikohet si investim shqiptar.
Deri në fund të vitit 2018, BKT Kosovë veproi si degë e bankës shqiptare, ndërsa në fillim të vitit 2019 nisi aktivitetin si bankë e veçantë, për shkak të rritjes së përmasave të saj. Në vitin 2019, BKT realizoi një xhiro prej 26.2 miliardë lekësh, në rritje vjetore me 29%.
BKT Kosovë zotëronte aktive totale në vlerën e 536 milionë eurove, ose 11.3% e tregut. Gjatë vitit 2019, BKT arriti një rritje të aseteve me 31%, niveli më i lartë i rritjes vjetore për sektorin bankar në Kosovë. BKT raportoi një fitim para tatimit në vlerën e 11.2 milionë eurove, rreth dy herë më shumë krahasuar me vitin 2018. Banka Kombëtare Tregtare është banka më e madhe në Shqipëri, me një total aktivesh prej 3.3 miliardë eurosh.
Marketing & Distribution
Kompania e gjashtë shqiptare për nga xhiroja në tregun e Kosovës është distributori i mallrave të konsumit, Marketing & Distribution. Në Kosovë, kompania realizoi vitin e kaluar një xhiro prej rreth 17 milionë eurosh, në rritje vjetore me 13.5%. Rezultati financiar para tatimit ishte pozitiv për rreth 2.1 milionë euro, në rritje me 16.7% krahasuar me një vit më parë.
Vlen të theksohet se kompania raportoi një normë fitimi para tatimit në masën 12.3%, ndjeshëm më e lartë se distributorët e tjerë të mallrave të konsumit në tregun e Kosovës. Marketing & Distribution Kosovë është kompani në pronësi të plotë të biznesmenes shqiptare, Vilma Nushi. Në tregun shqiptar, Marketing & Distribution ka përmasa më të mëdha, me një xhiro totale në vlerën e 8.7 miliardë lekëve.
Kid Zone Kosova
Kid Zone Kosova është kompania e tretë e grupit Balfin mes ndërmarrjeve më të mëdha shqiptare në Kosovë për nga xhiroja. Ajo operon në shitjen me pakicë të lodrave dhe artikujve jo-ushqimorë nën markën Jumbo.
Për vitin 2019, Kid Zone Kosova realizoi një xhiro në vlerën e 16.1 milionë eurove, në rritje me 13.5% krahasuar me një vit më parë. Shoqëria realizoi një fitim para tatimit në vlerën e 3.06 milionë eurove, në rritje me 19.3% krahasuar me një vit më parë. Kid Zone Kosova kontrollohet në masën 55% nga grupi Balfin i Samir Manes, 35% nga biznesmeni i Kosovës, Arsim Papraniku, dhe 10% nga Julian Mane.
Në Shqipëri, Kid Zone realizoi për vitin 2019 një xhiro në vlerën e 2.3 miliardë lekëve.