Ekipet e Komunës së Istogut dy ditët e kaluara kanë identifikuar vendbanimet në gjithë territorin e kësaj komune, që janë goditur para tri ditësh nga vërshimet. Mirëpo, dëme të serishme siç tha drejtor i Shërbimeve Publike, Mbrojte dhe Shpëtim, Enver Rugova, nuk janë evidentuar. Dhe kjo sipas tij për arsye se uji serish ka vërshuar të njëjta fshatra dhe të njëjtat ekonomi familjare, ferma, silose dhe ara bujqësore që ishin dëmtuar nga vërshimet e 10 e 11 janarit.
“Vërshimet e para dy javëve kanë shkaktuar dëme në 17 fshatra dhe nga vërshimet e para tri ditëve serish janë goditur të njëjta fshatra dhe të njëjtit njerëz. Pra uji i ka vërshuar prapë të njëjtit ata që i ka vërshuar herën e kaluar. Të dëmtuarit nuk kanë sanuar asgjë nga dëmet e shkaktuar para dy jave dhe uji e ka gjet dëmin si e ka lënë herën e fundit. Kështu që nuk ka pas dëme tjera kësaj here nga këto vërshime se nuk ka pas çka tjetër me dëmtua, pasi gjitha i kanë dëmtuar herën e kaluar”, thotë Rugova.
Ndërkaq shumës së dëmeve nuk i është shtuar asnjë euro, pasi sipas tij shuma e dëmeve të vërshimeve të 10 dhe 11 janarit mbetet ajo që është vlerësuar, 509 mijë euro. Rugova tha se dëmet në bujqësi kanë qenë 263 mijë euro nga vërshimet e 10 dhe 11 janarit.
“Dëmet më të mëdha kanë qenë te ushqimi i kafshëve në ato 17 fshatra. Pastaj janë dëmet në grurë, sera, stalla, ferma të pulave… gjithçka kanë dëmtuar reshjet e parafundit dhe reshjet e fundit nuk kanë pas çka tjetër me shkatërrua”, tha Rugova.
Kurse jashtë sektorit të bujqësisë, vlera e dëmeve ka qenë 243 mijë euro në ekonomitë familjare, bizneset dhe infrastrukturë.
“Ja kemi dërguar qeverisë të gjithë dokumentacionin me dëshmi për dëmet nga vërshimet e janarit. Po presim nga qeveria që së paku të na i ndajë 20 për qind të shumës së dëmeve, që së paku t’i ndihmojmë ata që kanë humbur komplet ushqimin e bagëtisë, se ata njerëz kanë falimentuar. Dhe ta ndreqim urën e dëmtuar në fshatin Drejë, se ka kosto të lartë. Kurse infrastrukturën që e kanë dëmtuar vërshimet, komuna vet e ndreq”, tregon Rugova nevojën e ndihmës urgjente që e kanë fermerët që e kanë humbur ushqimin e bagëtisë nga vërshimet.