Nivel i lartë i turbullirës në Badoc, disa zona do të mbesin pa ujë gjatë netëve të ardhshme

KRU “Prishtina” ka njoftuar se nga mbrëmja e të premtes disa zona në kryeqytet, Fushë-Kosovë e Obiliq do të mbesin pa ujë të pijshëm për shkak të nivelit të lartë të turbullirës në Badoc.

Nga ujësjellësi kanë thënë se pritet që për tri ditë t’i kthehen normalitetit dhe se për t’iu rikthyer do të duhet që gjatë netëve të ndalet furnizimi me ujë.

“Ne jemi duke trajtuar me kapacitetet tona të mundshme, bazuar në kualitetin e ujit në burim. Uji reduktohet për shkak se duhet akumuluar, që konsumatorë të kenë ujë gjatë ditës. Për 3 ditë pritet kthimi në normalitet. Kështu që me qëllim që t’i furnizojmë gjatë ditës e ndërpresim natën”, kanë thënë nga KRU “Prishtina” për KOHËN.

Reklama e sponzorizuar

Ujësjellësi ka njoftuar se reduktimi i ujit po ndodhë pas reshjeve atmosferike që kanë mbushur liqenin e Badocit me rreth 3 metra ujë, duke shkaktuar turbullirë.

Nga ora 19:30 këto zona kanë mbetur pa ujë: Graçanica, Hajvalia, Veterniku, Matiqani, Bregu i Diellit. Ndërsa, nga ora 21:00 pa ujë mbesin: Topanja, Dardania, Ulpiana dhe qendra e qytetit, Fushë-Kosova dhe Obiliqi.

Këto zona pritet të mbesin pa ujë edhe gjatë netëve të ardhshme.