Administrata Tatimore e Kosovës ka bërë të ditur se së shpejti do të ofrojnë edhe një shërbim të ri elektronik, ku përmes Sistemit Elektronik (EDI) do të mundësohet deklarimi i Pasqyrave Financiare, ashtu siç kërkohen me Ligjin për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim.
Sipas tyre, shërbimi i ri elektronik, gjegjësisht deklarimi i Pasqyrave Financiare përmes Sistemit Elektronik (EDI), do të kursejë kohën e të gjithë tatimpaguesve, duke ju mundësuar që deklarimin e Pasqyrave Financiare ta bëjnë në mënyrë elektronike dhe vetëm në një vend, pra në ATK, ndërsa KKRF do të pajiset me informatat e tilla nga ATK.
Ata gjithashtu shtuan se obligues për të deklaruar Pasqyrat Financiare, janë të gjithë tatimpaguesit, ashtu siç janë të kategorizuar me Ligjin për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim.
Pasqyrat Financiare, për qëllime të ATK-së do të deklarohen në periudhën dhe afatin kur dorëzohet edhe Deklarata Vjetore për Tatim në të Ardhura Personale / Korporatave, pra nga data 01 janar deri me 31 mars të vitit pasues për vitin paraprak thuhet në postimin e ATK-së.
Sa ju përket të dhënave, se si duhet të plotësohen Pasqyrat Financiare, tatimpaguesit, do të kenë mundësinë që t’ju referohen mostrave dhe udhëzuesve që do të publikohen në Sistemin Elektronik EDI, gjegjësisht në menynë ku edhe do të paraqitet secila Pasqyrë Financiare veç e veç thonë nga ATK.
Tutje thuhet se sa i përket afatit të publikimit dhe mënyrës së deklarimit të Pasqyrave Financiare nëpërmjet Sistemit Elektronik EDI, do të njoftohen me kohë./BuletiniEkonomik/