OBSH: 95% e vaksinave të kufizuara në 10 vende

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të enjten se 95 për qind e dozave të vaksinave të administruara deri tani, në të gjithë botën, ishin të kufizuara në 10 vende dhe bëri thirrje për një shpërndarje më të drejtë.

Vendet kryesore që kanë siguruar vaksina janë SHBA-ja, Kina, Mbretëria e Bashkuar, Izraeli, Emiratet e Bashkuara Arabe, Italia, Rusia, Gjermania, Spanja dhe Kanada.

Drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, tha në një konferencë për media se OBSH-ja po punonte për të siguruar vaksinat për gjitha vendet, por “çdo vend që është i aftë të kontribuojë duhet ta bëjë këtë”. Sipas faqes në internet Our World in Data, mbi 32 milionë doza të vaksinave COVID-19 janë administruar deri më tani.

Reklama e sponzorizuar

Në Rajonin Evropian të OBSH-së, i cili përbëhet nga 53 vende, që përfshin Rusinë dhe disa vende në Azinë Qendrore, 31 vende kanë filluar programet e vaksinimit.

Por, përkundër fillimit të fushatave të vaksinimit, sipas Kluge shpejtësia e përhapjes së koronavirusit në disa vende, për shkak të varianteve të reja më ngjitëse, ishte shqetësuese.

“Kjo është një situatë shqetësuese”, tha ai.

Në rajonin evropian, 25 vende, përfshirë Rusinë, kanë regjistruar raste të variantit të ri të koronavirusit, i zbuluar fillimisht në Mbretërinë e Bashkuar.

“Në të njëjtën kohë, ne jemi të shqetësuar për dy arsye: Ky variant ka një normë më të lartë transmetimi. Së dyti është pyetja se çfarë do të thotë kjo për vaksinat”, shtoi Kluge.

Sidoqoftë, Kluge gjithashtu theksoi se kishte ende arsye për të qenë optimist. “Ky do të jetë një vit më i parashikueshëm, situata do të jetë më e lehtë për t’u kontrolluar”, tha Kluge. /rel