Pandemia COVID-19, parashihet vit i vështirë ekonomik edhe 2021-ta

Përveç shëndetit publik, pandemia COVID-19 në vitin që lamë pas goditi edhe ekonominë e vendit, në masë të madhe disa veprimtari të bizneseve dhe punëtorët e sektorit privat.

Masat kufizuese ndaj bizneseve, ndikuan që të bie qarkullimi vjetor mbi 1.2 miliard euro, dhe u shuan mijëra veprimtari të bizneseve.

Kësisoj si pasojë e pandemisë humbën punën mbi 60 mijë punëtorë sipas Agjencisë së Statistikave.

Reklama e sponzorizuar

E në anën tjetër mbështetja e shtetit ishte e vonuar, e paktë dhe e ndarë në mënyrë të barabartë.

Kjo formë e mbështetjes është kritikuar nga njohës të ekonomisë, të cilët parashikojnë një rënie të rritjes ekonomike deri 8 për qind, si dhe vit të vështirë për ekonominë edhe më 2021.

Hulumtuesi në Institutin GAP, Blend Hyseni thotë për KosovaPress se qeveria e ardhshme duhet të hartojë një strategji ekonomike për të dalë nga kjo krizë ekonomiko-sociale.

Hyseni ka treguar për veprimtaritë e bizneseve të cilat pësuan humbje të mëdha financiare në pandemi dhe ato që nuk kanë ndier krizën dhe shënuan rritje të të hyrave.

“Kemi disa biznese që janë përballur me kufizime të orarit ose hapësirës së operimit që kanë pasur rënie në të hyra, por prapë kanë mundur me operua me një pjesë të kësaj kohe gjatë pandemisë, si dhe kemi një pjesë tjetër bizneseve që kanë vazhduar punën pothuajse në rrjedhja normale. Prandaj, këto masa ose këto kufizime të ndryshme ndaj bizneseve kanë bërë që edhe kjo krizë mos me qenë e njëjtë me të gjitha bizneset. Kjo shihet edhe në deklarimin e qarkullimit në Administratën Tatimore të Kosovës. Industria e artit, arkëtimit dhe rekreacionit që është prekur më së shumti nga masat kufizuese ka rënie të qarkullimit deri në 80 për qind. Pastaj vijnë këto aktivitetet e patundshmërisë, transporti, magazinimi, akomodimi, restorantet të cilat kanë pasur rënie 43-44 për qind. Pastaj janë kategoritë tjera që kanë pasur më pak masa kufizuese ndaj tyre e deri te ato që nuk kanë pasur kufizime fare siç janë barnatoret ose furnizimi me energji elektrike me ujë e këto të cilat kanë pasur rritje të të hyrave gjatë kësaj periudhe. Në anën tjetër ndihmesa e qeverisë po ashtu nuk ka marrë për bazë këto humbje të bizneseve dhe ka qenë e barabartë për të gjithë. Një ndër ndihmesat e fundit që është dhënë nga Qeveria është kjo pjesa e 60 milionë euro që është dhënë në bazë të numrit të punëtorëve dhe jo në bazë të dëmit ekonomik”, thekson ai.

Një gjë pozitive e Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, sipas Hysenit që edhe ka marrë mbështetjen nga të gjitha partitë politike, është ajo e rritjes së garancionit për fondin për garanci kreditore, i cili i mundëson për vitin e ardhshëm me shpresë të rriten investimet.

Megjithatë, ai po parash një vit të vështirë të përballueshëm më 2021.

“Viti 2021 do të jetë i vështirë i përballueshëm për bizneset, për shkak që është një borxh i akumuluar gjatë gjithë vitit që pa dyshim se do të reflektohet në vitin e ardhshëm. Sa do të jetë e vështirë do të varet kur fillohet vaksinimi i qytetarëve”, thotë Hyseni.

Profesori universitar Muhamet Sadiku ka thënë për KosovaPress se pandemia ka bërë goditje të madhe edhe në sferën ekonomike për të gjitha shtetet në botë dhe në veçanti ndikim negativ ka pasur në shtetet e vogla siç është Kosova dhe vendet në zhvillim.

Prandaj ka kërkuar nga qeveria strategji dhe ofertë ekonomike për ta ringjallë ekonominë dhe punësimin, pasi siç thotë vendin e punës e kanë humbur rreth 80 mijë punëtorë.

Krahas saj profesori Sadiku ka thënë se nevojitet edhe inkorporimi i fondeve ndërkombëtare.

“Nevojat më të mëdha janë për të gjeneruar ofertën në treg për të bërë ringjalljen e bizneseve, për të ringjallur punësimin, për të ringjallur këmbimin tregtar, për të përmirësuar jetën sociale të popullatës. Unë kam parasysh se qeveria ka bërë përpjekje me mjetet që i ka të bëj një infuzion social në Kosovë. Të bëjë një infuzion për bizneset e veta, por jashtë loje për fat të keq në këtë strategji po e quaj të rimëkëmbjes ka mbetur inkorporimi i fondeve të jashtme të cilat do të jenë të konsiderueshme në ringjalljen ekonomike të shteteve në përgjithësi, por sidomos të shteteve të Ballkanit perëndimor. Prandaj, është e nevojshme që krahas kësaj përpjekje nacionale për të reaguar, për të zbutur pasojat në nivelin e bruto produktit dhe në nivelin e punësimit. Kosova duhet me do e mos që edhe pjesën e fondeve ndërkombëtare t’i inkorporojë dhe vërtet të kemi një strategji të qartë, të qëndrueshme, e cila nuk do të vlejë për tre-katër muaj, por një strategji e cila do të aplikohet në dy tre vjetët e fundit në mënyrë që Kosova të kthehet në një pozitë normale që ishte para se të fillonte kjo sëmundje…03’43 Kosova do të duhej ta bënte sa më shpejtë një analizë gjithëpërfshirëse mbi pozitën e ekonomisë pas veprimit të pandemisë, pozitën në sektor të punësimit, në sektor të mbrojtjes sociale. Vlerësimet janë se gjatë kësaj periudhe rreth 80 mijë njerëz e kanë humbur punën, dhe kërkohet që me analiza të mëtutjeshme të targetohet kjo goditje e madhe sociale e cila ka ndodhur në Kosovë”, thotë ai.

Profesori Sadiku shton se nëse vazhdon ky trend i ndikimit të pandemisë me këtë goditje mund të ketë rënie të rritjes ekonomike rreth 8 për qind, që është mjaft serioze në rastin e Kosovës.

Këtë rënie ekonomike dikush po e ndërlidhë edhe me krizën politike.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu thotë se Kosova nuk ka luks t’i ketë tri qeveri brenda një viti.

“Dështimi politik në vitin 2020 në Kosovë, duhet një mësim i cili nuk duhet të përsëritet në të ardhmen. Kosova nuk e ka komoditetin dhe luksin që brenda një viti kalendarik t’i ketë tri qeveri, një shtet i varfër, një shtet i ri dhe besoj që kjo e dëmton ardhmërinë dhe ngufat perspektivën për qytetarët e Kosovës. Dua të besoj që çdo qeveri që do të vjen në të ardhmen do ta kthejë faqen e historisë drejt ardhmërisë dhe jo nga e kaluara. Ekonomia e dijes, shëndetësia, sundimi i rendit dhe ligjit duhet të jenë shtyllat kryesore, por mbi të gjitha këto do të mund të jenë objektiva. Megjithatë, në qoftë se nuk do të arrihet uniteti politik, atëherë do të jemi një vend që mund të jemi i shpallur i dështuar. Këtë nuk e meriton sakrifica e luftës, këtë nuk e meritojnë qytetarët e Kosovës. Rinia e Kosovës meriton një perspektivë dhe një ardhmëri më të ndritshme”, deklaron Gërxhaliu.

Më 13 mars 2020 që kur u paraqiten dy rastet e para me COVID-19 në Kosovë vendi sikur shtetet tjera mori masa për mbyllje totale deri më 1 qershor. Nevojat për një mbështetje nga shteti për qytetarët, punëtorët dhe bizneset ishte e madhe, por që nga ajo kohë u miratuan vetëm dy pako, Pakoja emergjente fiskale dhe së voni Ligji për rimëkëmbje ekonomike që mundëson edhe tërheqjen e 10 për qind të Trustit.

Në këtë kohë nuk qëndruan mirë financiarisht edhe disa ndërmarrje publike, Telekomi i Kosovës, “Trepça” dhe disa të tjera. Në atë kohë pati shkarkime të anëtarëve të bordeve dhe emërime nëpër ndërmarrje publike nga Qeveria Kurti, që kësisoj vazhdoi edhe me Qeverinë Hoti.

Viti 2020 e karakterizoi Kosovën edhe me tkurrje të të hyrave buxhetore, që janë paraparë të jenë mbi 300 milionë euro. Si rrjedhojë e këtyre zhvillimeve deficiti tregtar në llogarinë e mallrave gjatë kësaj periudhë regjistroi vlerën prej 2.26 miliardë euro që paraqet një rënie vjetore prej 11.4 për qind.