Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka premtuar se shumë shpejt do të publikojë programin ekonomik 2021 – 2025, në kuadër të të cilit do të prezantohet edhe projekti që e ka quajtur Fondi i Mbijetesës Ekonomike, me vlerë mbi 1 miliard euro, për vitin 2021.
Me premtimin për futjen e 1.2 miliardë eurove në qarkullim, pushtetin në qershor e mori edhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, pasi u rrëzua Qeveria Kurti me mocion mosbesimi. Në këtë pako, janë futur edhe kursimet e qytetarëve, të cilët kanë nxjerr 10-përqindëshin nga Trusti, por prap nuk është arritur shifra e premtuar. AAK-ja është pjesë e Qeverisë Hoti, por Haradinaj vlerëson se vetëm me të ne krye, “ndryshimi është i sigurt”.
“Ky fond do të garantojë përkrahjen për bizneset, kthimin e punëtorëve që kanë humbur vendet e punës për shkak të gjendjes pandemike, mbështetjen për familjet në krizë ekonomike e shumë benefite të tjera. Ne jemi ndryshimi i sigurt”, ka shkruar Hardinaj në facebook.
Qeveria Hoti është shpallur e paligjshme ditë më parë nga Gjykata Kushtetuese dhe për këtë pritet të mbahen zgjedhjet e reja.
Fushata pritet të nisë për pak javë.