Rreth 1 milion e 380 mijë shtetas të Kosovës vizituan Shqipërinë në vitin 2020

Numri i qytetarëve nga Kosova që kanë vizituar Shqipërinë për vitin 2020 është 1.379.360 persona. Megjithëse me një rënie prej 38.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, Kosova ka rënien më të ulët të hyrjeve të shtetasve të saj në Shqipëri për vitin 2020. Ndërkohë që në muajt e vjeshtës, por edhe në ato të fillim dimrit, numri i qytetarëve nga Kosova që kanë vizituar Shqipërinë ka pas rritje, krahasuar me muajt e verës. Qytetarët nga Kosova i kanë bërë sfidë pandemisë kur ka ardhur puna për të udhëtuar në Shqipëri.

Befasia ka vazhduar edhe në muajin dhjetor, ku shifrat kanë njohur një rritje me 13.8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, kohë në të cilën jo vetëm Shqipëria, por e gjithë bota nuk ka qenë e përfshirë nga COVID-19. Në bazë të shifrave të publikuara nga INSTAT(Instituti Shqiptar i Statistikave) në muajin dhjetor të vitit 2020 kanë hyrë në Shqipëri 85.648 shtetas nga Kosova, krahasuar me 75.211 shtetas të Kosovës që kanë hyrë në dhjetorin e vitit 2019. Ndërkohë që edhe për vitin 2020, është shënuar një rënie me 38.6%, krahasuar me vitin 2019, por që llogaritet më e ulëta krahasuar me vendet e tjera të rajonit e Europës.

Megjithatë, bllokimi i lëvizjeve si pasojë e masave kufizuese të marra nga shtetet për frenimin e përhapjes së COVID-19 ka ulur ndjeshëm hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri, përjashtuar Kosovën. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, numri i shtetasve shqiptarë dhe të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar, në muajin dhjetor 2020, është 442.966 dhe krahasuar me dhjetorin e vitit 2019, ky tregues rezulton me rënie 50,7 %. Në dhjetor 2020, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 180.815, krahasuar me dhjetorin 2019, ky numër ka rënë me 37,4 %. Gjatë vitit 2020, Kosova ka rënien më të ulët të hyrjeve të shtetasve në Shqipëri me 38,6 %, ndërsa rënien më të madhe e ka pasur Spanja me 90,3 %, krahasuar me vitin 2019. Numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri gjatë vitit 2020 është 2.657.818, duke rënë me 58,5 %, në krahasim me vitin 2019. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga Shqipëria në vitin 2020, është 2.906.828 duke rënë 50,9 %, krahasuar me vitin e mëparshëm.

Reklama e sponzorizuar

Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë gjatë muajit dhjetor 2020 janë 215.698. Krahasuar me dhjetorin e 2019-s, ky numër ka rënë 55,5 %. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit dhjetor 2020, janë 155.973, krahasuar me dhjetorin e 2019-s, ky numër ka rënë 47,9 %. Mbyllja e kufijve dhe anulimet masive të rezervimeve e kanë vënë industrinë turistike të Shqipërisë në vështirësi të mëdha. Kujtojmë që turizmi në Shqipëri në vitin 2020 është mbajtur nga vizitorët nga Kosova për shkak të mbylljes së kufijve dhe nga turizmi vendas që pavarësisht peshës që ka, nuk arrin të kompensojë dot humbjet. Gjithashtu, thuajse të gjitha institucionet ndërkombëtare kanë paralajmëruar vende si Shqipëria të cilat kanë një varësi të lartë nga turizmi për të marrë masa, pasi pandemia do të shkaktojë një dëm mjaft të madh ekonomik.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) jo rastësisht e vlerësoi Shqipërinë si vendin me impaktin më të madhe të krizës, ndër vendet e Ballkanit Perëndimor, me rënien ekonomike në 12% këtë vit. Turizmi mban indirekt thuajse ¼ e ekonomisë shqiptare dhe impakti i pandemisë, sidomos i masave anti-Covid, duket se i ka dhënë një goditje të rëndë termave të rritjes ekonomike në këtë vend. Shifrat e publikuara nga INSTAT (Instituti Shqiptar i Statistikave) janë ato që tregojnë përtej përceptimit gjendjen reale të sezonit turistik veror në Shqipëri. INSTAT, ka bërë publike një sërë shifrash të cilat pasqyrojnë një tablo deri diku të qartë të bilancit të sektorit turizmit për muajt e verës në Shqipëri. Ajo që bie në sy tjetër, nga të dhënat e publikuara nga INSTAT është se numri i shtetasve nga Kosova që kanë hyrë në Shqipëri gjatë gushtit 2020 është më shumë se i përgjysmuar, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Kjo rënie drastike vjen pavarësisht faktit se mes dy shteteve nuk ka pasur barriera fizike si pasojë e pandemisë. Por ajo që është vënë re nga shifrat, është fakti se është rritur ndjeshëm numri i shtetasve nga Kosova që ka vizituar Shqipërinë gjatë shtatorit të vitit 2020. Krahasuar me shtatorin e vitit 2019, kur vendi nuk kishte përjetuar ende asnjë prej dy krizave të forta; tërmetin apo pandeminë, rritja është gati dyfish.

Sipas shifrave të publikuara nga INSTAT (Instituti Shqiptar i Statistikave), Kosova ka dyfishuar hyrjet në Shqipëri për muajin shtator të vitit 2020 , krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kështuqë në shtator të vitit 2020 në Shqipëri kanë hyrë 239.353 shtetas nga Kosova, kundrejt 166.207 hyrjeve në shtatorit të vitit të kaluar, në rritje me 44%. I njëjti trend ka vazhduar edhe në muajin tetor, ku hyrjet nga Kosova në Shqipëri njohën një rritje prej 35.3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Ndryshe ka ndodhur në muajin nëntor të vitit 2020, ku është shënuar një rënie e vogël me 5.9%, krahasuar me nëntorin e vitit 2019. Në nëntor të vitit 2019 kanë hyrë në Shqipëri 74.340 shtetas të Kosovës, ndërsa në nëntor të vitit 2020 kanë hyrë në Shqipëri 69.942 shtetas nga Kosova.

Ndërkohë që dhjetori, muaji ë fundit ë vitit 2020 ka shënuar serish një rritje me 13.8% të vizitorëve nga Kosova në Shqipëri. Për vitin 2019 promovimi i eventit “Pusho Shqip” është përqafuar vetëm nga qytetarët e Kosovës, por jo nga ato të Shqipërisë, pasi shifrat e përligjin këtë konstatim, ku vetëm 1.3% e qytetarëve nga Shqipëria kanë vizituar Kosovën, krahasuar me vendet e tjera jashtë Shqipërisë. ndërkohë që numri i vizitorëve të Shqipërisë në Kosovë përbën vetëm 3.1% të numrit të vizitorëve të Kosovës në Shqipëri gjatë vitit 2019. Në vitin 2019, numri i udhëtimeve për qëllime personale apo biznesi (brenda apo jashtë Shqipërisë) të kryera nga individët banues në Shqipëri të moshës mbi 15 vjeç ishte 5.350.604 persona.

Ndërkohë që në Kosovë nga kjo shifër prej rreth pesë milionë e gjysmë, Kosovën e kanë vizituar vetëm 69.557 persona nga Shqipëria. Në udhëtimet e kryera jashtë Shqipërie përqindjet më larta janë regjistruar në: Greqi (6,6 %), Itali (5,5 %) dhe Kosovë (1,3 %). Këto shifra janë nxjerrë nga vrojtimi statistikor, Anketa e Turizmit në Familje, “Pushime dhe Udhëtime” që kryhet pranë njësive ekonomike familjare (NjEF) dhe ka objekt të gjithë individët mbi 15 vjeç me vendbanim të zakonshëm në Shqipëri.