Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se shkaku i reshjeve të shiut që do të fillojnë nga sot, mund të ketë sërish vërshime në disa zona të vendit, raporton Express.
Ndërkohë, IHK dje ka paralajmëruar se si pasojë e reshjeve të shiut që kanë filluar, mund të ketë vërshime në zona të caktuara të vendit.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka folur rreth dëmeve të shkaktuar nga vërshimet e kaluara, dhe gjendjes momentale në rast se do të ketë përsëri vërshime.
“Dëmet e shkaktuara kanë qenë të mëdha duke e dëmtuar bankinën e lumit Silnica, në fillim do të rregullojmë bankinën e lumit që është afër zonave të prekurave dhe kjo gjë do të kushtojë më shumë se 350.000 mijë euro, për të cilën e kemi marrë mbështetjen edhe nga Qeveria e Kosovës”, tha Tahiri për Express.
“Kemi formuar tri komisione për vlerësimin e dëmeve në ekonomi familjare, bujqësi dhe bankinë e lumit Silinca, për këtë të fundit është paraparë që nga shtrirja e tij në Vushtrri e deri në Mitrovicë, rregullimi i gjithë kësaj pritet të kushtojë më shumë se 5.5 milionë euro, por që të hënën do të dërgojmë vlerësimet e të gjitha dëmeve në Komunën e Vushtrrisë”, shtoi ai.
Dëme të mëdha kishte edhe në Komunën e Suharekës nga vërshimet e kaluara, për të cilën foli kryetari, Bali Muharremaj, pasi sipas IHMK’së edhe Suhareka gjendet në zonën e rrezikuar në rast të vërshimeve.
“Intervenimet i kemi bërë në ato pjesë të cilat dëmet kanë qenë më të mëdha në disa fshatra dhe në sheshin e qytetit i kemi rregulluar kanalizimet, ndërsa sa i përket vlerësimeve të dëmeve të shkaktuara ende nuk është finalizuar totali me këtë çështje po merren komisionet përkatëse”, tha Muharremaj për Express.
Dëme të shkaktuara nga vërshimet kishte edhe në Komunën e Klinës, për të cilat foli kryetari i kësaj komune, Zenun Elezaj.
“Jemi në gjendje gatishmërie, kemi marrë masat e nevojshme, kemi rregulluar shtretërit e lumenjve, dhe në rast nevoje do të kemi edhe ndihmën e FSK’së”, tha Elezaj për Express.
“Kanë qenë të formuar tri komisione, një për biznese, një për familje të prekura nga vërshimet dhe për dëmet në bujqësi, vlerën e dëmeve e kemi dërguar dje dhe është rreth 130 mijë euro, duke i përfshi të gjithë sektorët e dëmtuar”, tha ai.
Ndërkohë, Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, ka ndarë 1 milionë euro për kompensimin e dëmeve të shkaktuara në objektet e banimit, në komunat e prekura nga vërshimet e ndodhura në javën e parë të janarit të këtij viti.
Dëmet në infrastrukturë do të mbulohen nga buxhetet komunale ndërsa dëmet në bujqësi do të kompensohen nga buxhetet komunale dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.