Shënohet rritje e numrit të ndërmarrjeve të regjistruara në Kosovë

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka njoftuar se gjatë pjesën e katërt të 2020-s, janë regjistruar 2.869 ndërmarrje, duke paraqitur rritje prej 10.6 për qind, krahasuar me periudhën e vitit 2019.

Kjo është bërë e ditur në raportin e publikuar sot nga Agjencia e Statistikave të Kosovës mbi ndërmarrjet ekonomike në Kosovë për tremujorin e katërt 2020.

ASK-ja njofton se aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: tregtia me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave me 728 ndërmarrje të regjistruara (25.4%), prodhimi me 354 ndërmarrje të regjistruara (12.3%), aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike me 286 ndërmarrje të regjistruara (10%), etj.

Reklama e sponzorizuar

Ndërsa, në kategorinë me 1 deri në 4 të punësuar ishin gjithsej 1.141 ndërmarrje të regjistruara (96.7 %), në kategorinë me 5-9 të punësuar 63 (2.2%), në kategorinë me 10-19 të punësuar 21 (0.7%), në kategorinë me 20-249 të punësuar 11 ndërmarrje të regjistruara (0.4%), ndërsa në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar, nuk ka pasur ndonjë ndërmarrje të regjistruar gjatë këtij tremujori.

Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, mbizotëron Prishtina me 897 ndërmarrje (31.3%), Ferizaj 254 (8.9%), Prizreni 200 (7%), Gjilani 161 (5.6%), Peja 132 (4.6%), dhe Fushë Kosova me 126 ndërmarrje të regjistruara (4.4%). Komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor./KP/