Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit e ka publikuar dokumentin e kërkuar nga 55 organizata të shoqërisë civile vetëm pas aprovimit që ka marrë nga kompania për ta bërë një gjë të tillë. Ndërkohë organizata “Pishtarët” ngre dyshime se Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit po i hap rrugë licencimit të HC “Lumbardhi 2”, edhe pse kompania ka deklaruar se ka hequr dorë nga ndërtimi i digës dhe degradimit që ka bërë në atë pjesë. Nga Ministria thonë se janë në proces të shqyrtimit të licencimit apo jo të “Lumbardhi 2”.
Vetëm pas aprovimit të marrë nga KELKOS-i, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit e ka publikuar studimin për rrjedhën minimale të ujit në tri hidrocentralet e kësaj kompanie në Grykën e Deçanit.
Ky institucion iu ka bindur kompanisë që dokumentet e kërkuara nga organizata “Pishtarët”, e mbështetur nga 54 organizata të shoqërisë civile, të publikohen në uebfaqe dhe të mbulohen pjesë që kompania i konsideron konfidenciale.
Shpresa Loshaj nga organizata “Pishtarët” ka ngritur dyshimet se kjo ministri po i hap rrugë licencimit të HC “Lumbardhi 2”, edhe pse kompania ka deklaruar se ka hequr dorë nga ndërtimi i digës në atë pjesë.
“Në Zall të Rupës e konfirmuam nga ministri se paska filluar procesi për dhënie të lejes për ‘Lumbardhi 2’, do të thotë ka filluar procesi për t’i mbuluar krimet mbi Zall të Rupës, të shlyhen borxhet e KELKOS-it ndaj Komunës së Deçanit. Por, sipas ligjit, ne gjithmonë e kemi bërë të ditur se asnjë leje nuk mund të konsiderohet nëse nuk e ka pajtueshmërinë dhe pjesëmarrjen e publikut. Në Zall të Rupës është bërë ekocid, si mundet një zyrtar i vetëm ta mbulojë atë krim me një raport”, ka thënë Loshaj.
Ka paralajmëruar se do t’i drejtohen edhe Ambasadës së Austrisë, Qeverisë austriake, Bashkimit Evropian, Gjykatës së Strasburgut, si dhe Komunitetit për energji, për t’i treguar, siç ka thënë ajo, për dëmet që kanë ndodhur në Kosovë.
“Tash po dihet se institucionet tona nuk janë të gatshme që t’i mbrojnë interesat e popullit. Nëse KELKOS-i vendos që të hyjë në marrëveshje me këta individë, atëherë duhet të dijë se kjo marrëveshje nuk do të jetë legjitime”, ka theksuar ajo.
Se janë në fazë të shqyrtimit për licencim apo jo të “Lumbardhi 2”, e ka pranuar edhe drejtori i Autoritetit Rajonal për Pellgje Lumore, Gani Berisha, por, sipas tij, çdo gjë do të bëhet në bazë të legjislacionit në fuqi.
Ndërkohë Adem Lushaj, nga shoqëria civile në Deçan, ka thënë se janë duke i mbledhur dokumentet për të shpërfaqur, siç ka thënë, shkeljet e bëra nga lejimi i hidrocentraleve në Grykë të Deçanit.
“Ne po mundohemi që të gjitha dokumentet e nevojshme, të cilat është dashur t’i kërkojë Departamenti i ujërave, Ministria edhe ZRRE-ja, pastaj t’i jepet leja për operim, ne po mundohemi që t’i tubojmë ato dokumente që i kanë mbajtur të fshehta. Në bazë të dokumenteve që kemi marrë, është evidentuar shkatërrimi i Grykës së Deçanit, ku me dhjetëra kilometra futen tubat nëpër tokë që të furnizohet hidrocentrali ‘Deçani’, apo ne i themi hidrocentrali ‘Manastiri’”, ka theksuar ai.
Ai ka përmendur padinë që kanë bërë për shkelje të Ligjit për zona të veçanta, konkretisht nenit 5 të këtij ligji, që e ndalon ndërtimin e hidrocentraleve brenda zonës.
Ka thënë se janë njoftuar nga Prokuroria Speciale ku kanë drejtuar padinë, që lënda është përcjellë në Prokurorinë Themelore të Pejës, në Departamentin për krime të rënda.
“Ne i jemi drejtuar Prokurorisë se është shkelur Ligji i 2008-s për zonat e veçanta, neni 5, ku ndalohet rreptësisht ndërtimi i hidrocentraleve brenda zonës, por kur është në pyetje Manastiri i Deçanit po lejohen shkeljet ligjore, ndërsa kur është ndërtimi i rrugës, që zhvillon Deçanin, po duhet të respektohet ligji dhe të arrihen marrëveshje politike që janë trumbetuar shumë kohëve të fundit, gjoja se Komuna e Deçanit ka arritur marrëveshje historike me Manastirin dhe me ambasada për ndërtimin e kësaj rruge që po kalon”, ka theksuar ai.
Raporti i publikuar përmban studim 13-faqesh për rrjedhën minimale të ujit në tri hidrocentrale, “Deçani”, “Bellaja” dhe “Lumbardhi 2”, ndërsa pjesa tjetër janë korrespondencat mes Ministrisë dhe kompanisë për kërkesën e organizatave për qasjen në këtë studim.
ZRRE-ja në nëntor të vitit të kaluar ka licencuar dy hidrocentrale të KELKOS-it, pasi ato janë pajisur me leje mjedisore nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit.
Por veprimtaria e tyre është ndaluar pasi Vetëvendosje dhe “Pishtarët” kanë dorëzuar padi për këto dy institucione, meqë Gjykata Themelore ka vendosur masë të përkohshme sigurie, duke pezulluar licencat e tyre.