Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka shpalosur programin për rimëkëmbje ekonomike për vitin 2021, duke thënë se kanë vendosur për ndarjen e qindra miliona eurove për kategori të ndryshme të shoqërisë.
Në një konferencë për media, Hoti ka thënë se ky program, ka 16 masa, duke theksuar ndër to se do të ketë edhe rritje të pensioneve si dhe ndihmë për gastronominë.
“Do të rrisim të gjitha pensionet që janë nën 100 euro në një shumë totale prej 13. 5 milionë euro”, ka thënë ai teksa ka njoftuar se tre milionë euro janë ndarë për sektorin e gastronomisë.
Ai ka paralajmëruar se ndarja e mjeteve do të nisë shpejt.
Në masën e parë janë ndarë 6.5 milionë euro për të vetëpunësuarit – bizneset e vogla.
Masa e dytë është për Ministrinë e Arsimit. Për të janë ndarë 5 milionë euro.
Masa e tretë për Ministrinë e Kulturës, rreth 2.5 milionë euro, teksa për përmirësimin e pozitës së gruas është caktuar një masë tjetër.
50 milionë euro janë ndarë për shëndetësinë, me 40 milionë që janë të dedikuara për vaksinat anti-Covid.
Në masën e 9 do mbështeten komunat e Kosovës për të menaxhuar situatën me pandeminë.
Hoti po ashtu ka thënë se do të vazhdohet dyfishimi i skemave sociale.