Për herë të parë në 2021 nuk është miratuar një paketë e plotë fiskale siç ka ndodhur vitet e kaluar, për shkak të situatës së krijuar në vend nga pandemia.
Megjithatë, ndryshimet ligjore që hynë në fuqi nga 1 janari 2021 nuk kanë munguar, duke filluar nga rritja e pagës minimale e maksimale, bërja zero e tatim fitimi për subjektet me qarkullim deri në 14 milionë lekë, rritja e pragut të TVSH-së për bizneset e vogla deri te heqja e TVSH-së për profesionet e lira (deri në kufirin kur TVSH fillon e zbatohet për të gjithë).
Në pjesën më të madh ndryshimet fiskale të vitit 2021 janë në kahun lehtësues, kryesisht për biznesin e vogël dhe profesionet e lira, ndërsa të punësuarit, sidomos ata me paga të larta dhe të dypunësuarit do të paguajnë më shumë taksa nga paga, për shkak të rritjes së pagës minimale, ndërsa për të dypunësuarit, sado që paguhen, tatimi mbi të ardhurat do t’u llogaritet si një pagë e vetme.
Sipas të dhënave të mëparshme nga Tatimet, në total në vitin 2019, bizneset që preken nga dy ndryshimet kryesore, rritja e pragut të TVSH-së dhe heqja e tatim fitimi për subjektet me qarkullim deri në 14 milionë lekë kanë paguar 4.3 miliardë lekë tatimfitimi dhe TVSH (78% e kësaj shume i përket TVSH-së së paguar), ose 34 mln euro. Kjo shumë përbën 1.4% të totalit të të ardhurave tatimore e doganore që u mblodhën në 2019-n, sipas të dhënave nga Ministria e Financave.
Ndryshe nga bizneset e vogla, barra fiskale për të punësuarit vijon të mbetet e lartë. Individët me paga mbi 150 mijë lekë paguajnë deri në 23% tatim fitim, teksa rritja e pagës maksimale u shton sigurimet. Edhe të dypunësuarit, pavarësisht nga niveli i pagës deri në prill të 2021 do të duhet të bëjnë deklarimin e të ardhurave dhe të paguajnë tatimin shtesë, sipas një vendimi që hyri në fuqi në 1 janar 2020 dhe përcaktonte se “individët, të cilët janë të punësuar në më shumë se një punëdhënës.
Këta individë deklarojnë në deklaratën e tyre vjetore të të ardhurave, në një shumë të vetme, të gjitha të ardhurat e siguruara nga punësimi, llogarisin shumën totale të detyrimit tatimor mbi pagat, zbresin, kur është rasti, tatimin e mbajtur nga punëdhënësi dhe përcaktojnë shumën e detyrimit tatimor që duhet të paguajnë për buxhetin e shtetit”. LINKU I SHKRIMI 1
Paga minimale rritet në 30 mijë lekë
Në 16 dhjetor, këshilli i Ministrave miratoi vendimin për rritjen e pagës miniamle. Sipas këtij vendimi:
-Paga bazë minimale mujore, për punonjësit, në shkallë vendi, që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj, të jetë 30 000 (tridhjetë mijë) lekë.
-Paga bazë minimale mujore jepet për 174 orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës.
-Paga bazë minimale orare të jetë 172.4 (njëqind e shtatëdhjetë e dy pikë katër) lekë.
-Shtesat me karakter të përhershëm jepen mbi pagën bazë. Ky vendim i shtrin efektet nga data 1 janar 2021
Pritet rritja e pagës maksimale
Pas rritjes së pagës minimale, pritet që të rritet edhe ajo maksimale për efekt të pagimit të sigurimeve shoqërore, por nuk ka ende një vendim zyrtar. Burime nga Ministria e Financave pohuan se ende nuk është vendosur, por paga maksimale pritet të rritet me 15%.
Një rritje e tillë do ta çonte pagën maksimale nga 114.7 mijë lekë, që është sot, në rreth 131 mijë lekë.
Bizneset me xhiro deri në 14 milionë lekë nuk do të paguajnë tatim fitim, përfitojnë rreth 9 mijë subjekte
Nga 1 janari, bizneset e vogla me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë do të kenë tatim fitimi zero, sipas ndryshimeve në ligjin për tatimin mbi të ardhurat.
Deri tani, bizneset me qarkullim vjetor nga 0 në 5 milionë lekë kanë paguar zero tatimfitim, ndërsa bizneset nga 5 në 14 milionë lekë kanë tatim të thjeshtuar prej 5%.
Sipas të dhënave zyrtare nga tatimet, deri në fund të 2019-s, në vend janë 94 mijë biznese të vogla, të cilat kanë një qarkullim nga 0-5 milion lekë, nga të ardhurat e deklaruara për vitin 2019 nga deklarata e tatimfitimit të thjeshtuar (TFTH). Këto subjekte, që përbëjnë 83% të subjekteve totale në vend, nuk preken nga ndryshimi i fundit, pasi edhe sot nuk paguajnë tatim fitimi.
Sipas të dhënave të Tatimeve, numri i bizneseve me qarkullim nga 5-14 milion lekë nga të ardhurat e deklaruara për vitin 2019 nga deklarata e TFTH është 9,305. Këto biznese, paguajnë tatimfitimi të thjeshtuar prej 5%. Në vlerë, tatimfitimi (ose TFTH) i paguar prej tyre në vitin 2019 ishte 945 milionë lekë, ose 7.6 milionë euro.
Pragu i TVSH-së rritet në 10 milionë lekë, si do të veprohet me mallrat stok
Nga 1 janari 2021, pragu i regjistrimit në tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) është rritur në 10 milionë lekë, nga 2 milionë lekë që ishte deri tani.
Me herët, tatimet kanë bërë të ditur se numri i bizneseve që kanë deklaruar TVSH me xhiro nën 10 milionë lekë është 46.1 mijë. TVSH e paguar nga kjo fashë në vitin 2019 ishte 3.4 miliardë lekë.
Tatimet sqarojnë se nga 1 janari në zbatim të nenit 117, të ligjit, kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar është qarkullimi prej 10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh në një vit kalendarik. Personi i tatueshëm ka të drejtë të zgjedhë të zbatojë regjimin normal të TVSH-së, në përputhje me përcaktimet e nenit 120, të ligjit, nëse qarkullimi vjetor është më i madh se 5 000 000 (pesë milionë) lekë.
Nëse personi i tatueshëm i cili me parë ka qenë i regjistruar në regjimin normal të TVSH-së dhe deri në 31. 12.2020 nuk ka realizuar një qarkullim prej 10 000 000(dhjetë milionë) lekësh, personi i tatueshëm do të ç’regjistrohet nga TVSH-ja bazuar ne VENDIMN Nr. 953, datë 29.12.2014 PËR DISPOZITAT ZBATUESE TË LIGJIT NR. 92/2014, “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË” I NDRYSHUAR Neni 11 “Përcaktimi i kufirit minimal të regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH)”
Sipas tatimeve, të gjithë personat e tatueshëm, të cilët deri ne 31.12.2020 kanë pasur mallra stok (inventar) të pa-shitura, ose mallra kapitale, aktive të tjera të përdorura për veprimtarinë, ku TVSH-ja mbi këto mallra ka qenë tërësisht apo pjesërisht e zbritshme, (dmth kanë pagur tvsh-në për këto mallra) në bazë të nenit 9 të ligjit Nr.92/2014, datë 27.07.2014 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar dhe udhëzimit Nr 6 datë 30.01.2015 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë”, këto mallra do të konsiderohen si furnizim kundrejt pagesës dhe personi i tatueshëm është i detyruar të llogarisë ose rregullojë TVSH-në për këtë furnizim.
Bazuar në nenin 38 të ligjit Nr.92/2014, datë 27.07.2014 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar vlera e tatueshme e këtij furnizimi duhet të jetë e përbërë nga çmimi i blerjes së këtyre mallrave ose në mungesë të çmimit të blerjes nga vlera e kostos e përcaktuar në momentin kur personi i tatueshëm përfundon veprimtarinë e tij ekonomike të tatueshme.
Personi i tatueshëm që çregjistrohet nga regjimi normal dhe kalon në regjimin e bizneseve të vogla, ose kur është regjistruar vullnetarisht për TVSH-në, detyrohet të paraqesë këto furnizime në deklaratën e TVSH-së të periudhës së fundit që është i regjistruar për TVSH-në ( deklarata dhjetor 2020).
Personi i tatueshëm është përgjegjës për të përmbushur çdo përgjegjësi për TVSH-në që nga momenti që është regjistruar deri në momentin që çregjistrohet nga TVSH-ja, sipas informacionit të tatimeve.
Hiqet TVSH nga zero për profesionet e lira
Kontabilistët, audituesit, noterët, avokatët, vlerësuesit e pasurive dhe të gjithë profesionet e tjera të lira, nga 1 janari, nuk do të paguajnë më TVSH-në nga zero, por mbi qarkullimin vjetor prej 10 milionë lekësh, ashtu si gjithë bizneset e tjera.
Krahas rritjes së kufirit minimal të regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar nga 2 në 10 milionë lekë, u shfuqizua dhe neni për dispozitat zbatuese të ligjit të TVSH-së, i cili ishte miratuar në vitin 2014 dhe përcaktonte që profesionet e lira si avokat, noter, mjek i specializuar, dentist, dentist i specializuar, farmacist, infermier, veteriner, arkitekt, inxhinier, mjek-laborant, projektues, ekonomist, agronom, ekspert kontabël i regjistruar, kontabilist i miratuar dhe vlerësues i pasurisë, pavarësisht nga qarkullimi vjetor i tyre, paguanin TVSH nga zero.
Profesionet e lira kanë paguar TVSH nga zero, që nga janari i vitit 2015, përveç dentistëve, që ndonëse përfshihen në listen e profesioneve të lira hynin te furnizimet e përjashtuara dhe nuk paguanin TVSH.
Ky vendim u kundështua fort në atë kohë nga profesionistët e lirë, që argumentuan jo vetëm diferencimin nga subjektet e tjera (në atë kohë kufiri minimal I regjistrimit të TVSH-së ishte 5 milionë lekë), por edhe faktin që ata ofronin shërbim mendor dhe nuk kishin shpenzime ku ta shkarkonin TVSH-së.
Në vitin 2017 Dhoma Kombëtare e Avokatisë çoi në Gjykatë Këshillin e Ministrave, duke kërkuar shfuqizimin e vendimit. Gjykata e Lartë e rrëzoi pjesërisht vendimin e qeverisë që sanksiononte se profesionet e lira do të paguanin Tatim mbi Vlerën e Shtuar, duke shfrytëzuar handikapin ligjor se Këshilli i Ministrave nuk ka kompetencën për të përcaktuar kategoritë që përjashtohen apo futen në TVSH, por vetëm përcaktimin e kufirit minimal.
Por, në fund po të atij viti, qeveria nxitoi të plotësonte hapësirat ligjore që u shfrytëzuan nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë për të rrëzuar pjesërisht vendimin, duke përfshirënë kompetencat e saj dy pika specifike: kufirit minimal për t’u përfshirë në TVSH si dhe atributi për ata që përjashtohen dhe hyjnë në skemë.
Këto vendime “korrigjuan” atë që përcaktoi Gjykata e Lartë për avokatët ku pati një shfuqizim të pjesshëm ligjor që i hapi rrugë gjithë çështjes së profesioneve të lira të bënin të njëjtin veprim. Avokatët ishin të përjashtuar nga skema falë këtij vendimi ndërkohe që asnjë nga grupet e tjera nuk e çoi çështjen në Gjykatë për të përfituar të njëjtin trajtim kjo edhe për faktin se koha nuk premtonte ndërkohe që qeveria rregulloi “ngërçin” ligjor.
Si rrjedhojë, të gjitha profesionet e lira, përveç dentistëve e mjekëve u detyruan të paguanin TVSH-në nga zero.
Por, tashmë nga 1 janari 2021, ata do të trajtohen si gjithë subjektet e tjera dhe do të paguajnë TVSH vetëm kur të kalojnë qarkullimin vjetor prej 10 milionë lekë.
Fermerët në skemën e kompensimit do paguajnë TVSH-në mbi 10 milionë lekë xhiro
Nga 1 janari 2021 fermerët, në skemën e kompensimit, do paguajnë TVSh për qarkullim vjetor mbi 10 milionë lekë, nga 5 milionë lekë që ishte kufiri minimal deri tani.
Krahas rritjes së pragut të TVSH-së nga 2 në 10 milionë lekë për gjithë bizneset e vogla në vend, vendimi ka shfuqizuar pikën 3 të nenit 11 në të cilin thuhej se prodhuesit bujqësorë, për të cilët zbatohet regjimi i veçantë i skemës së kompensimit dhe që e zhvillojnë veprimtarinë ekonomike si fermerë individualë e kishin kufirin minimal të regjistrimit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar 5 milionë lekë në vit.
Ekspertët e sektorit bujqësor kanë pohuar se vendimi është pozitiv, lehtëson fermerët dhe pritet të eliminojë NIPT-et e dubluara brenda familjes, pasi një pjesë e mirë e fermerëve kanë nxjerrë 2 deri 3 NIPT-e brenda familjes për të shmangur detyrimet.
Ulet TVSH-ja nga 20% në 6% për investimet në sport
Ndryshimet në ligjin “Për TVSH-në” parashikojnë uljen e TVSH-së nga 20% në 6% në investimet infrastrukturore sportive, si pjesë e paketës së mbështetjes së sportit.
Ky ndryshim parashikon aplikimin e shkallës së reduktuar të TVSH-së, prej 6% për shërbimin e punimeve të ndërtimit për investimet shtetërore ose për investimet e klubeve/federatave sportive, për infrastrukturën sportive. Ndërkohë që infrastruktura sportive rregullohet nga dispozitat e ligjit nr.79/2017, “Për sportin”. Furnizuesit e punimeve të ndërtimit, do të llogarisin TVSH–në në shitje prej 6% për qind për punimet e ndërtimit për infrastrukturën sportive, por do të zbresin të plotë TVSH-në e paguar prej 20% për blerjen e mallrave dhe shërbimeve në funksion të këtyre punimeve.
Fillon fiskalizimi
Nga data 1 Janar 2021, faturat që do të lëshohen për Entet Publike/Shtetërore duhet të jenë Fatura Elektronike, të cilat do të shkëmbehen nëpërmjet Platformës Qendrore të Faturave. https://www.monitor.al/tatimet-dhe-app-sqarojne-bizneset-si-te-veproni-me-faturat-vetem-elektronike-pas-1-janarit/
Ky është hapi i parë i fillimit të zbatimit të fiskalizimit, bazuar në ligjin Nr. 87/2019 “Për Faturën dhe Sistemin e Monitorimit të Qarkullimit”.që do të ndryshojë tërësisht mënyrën se si bizneset faturojnë dhe raportojnë tek tatimet.
Ndërsa, për faturat që do të lëshohen ndërmjet tatimpaguesve, këto fatura duhet që të jenë Fatura Elektronike dhe shkëmbehen nëpërmjet Platformës Qendrore të Faturave duke filluar nga data 1 Korrik 2021 për tansaksionet pa para në dorë dhe nga 1 shtatori, sistemi do të fillojë të zbatohet për të gjitha bizneset në vend, pavarësisht pergjegjësisë tatimore apo qarkullimit vjetor te realizuar.