Tre ministra brenda një viti, kaq para u shpenzuan për udhëtime, mëditje, dreka e karburant në MTI

Lajmi.net ka siguruar shpenzimet e vitit 2020 në kabinetin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Gjatë vitit 2020, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), ka pasur tre udhëheqës, kjo pasi që gjatë vitit që sapo e lamë pas Kosova ka ndërruar tri herë qeveritë.

Lajmi.net ka bërë kërkesë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në lidhje me shpenzimet e kabinetit ministror gjatë vitit 2020, përfshirë kohën sa Endrit Shala ishte ministër, Rozeta Hajdari dhe tani gjatë kohës sa Vesel Krasniqi është ministër në detyrë.

Reklama e sponzorizuar

Sipas të dhënave të MTI-së, gjatë vitit 2020 kabineti i tre ministrave ka shpenzuar 2 mijë e 214.60 euro për mëditje në udhëtimet zyrtare.

Në anën tjetër në dokument thuhet se kabineti për shpenzime të udhëtimeve zyrtare ka shpenzuar 395.06 euro, raporton lajmi.net.

Më së shumti shpenzime që të tre ministrat, pra i gjithë kabineti i tre ministrave kanë bërë për dreka dhe reprezentacion. Sipas të dhënave zyrtare të shpenzimeve të kabinetit, në vitin 2020 kjo ministri ka shpenzuar 29 mijë e 404.97 euro.

Ndërkaq sa i përket karburantit për vetura, gjatë vitit 2020 kabineti i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë ka shpenzuar 6 mijë e 867.18 litra.

Theksojmë se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë gjatë vitit 2020 fillimisht ishte duke u udhëhequr nga Endrit Shala, më pas nga Rozeta Hajdari dhe aktualisht ministër në detyrë është Vesel Krasniqi, e tërë kjo pasi që brenda 2020-ës në Kosovë janë ndërruar tri qeveri.