Vaksinat vijnë në shkurt, deri në 20 mijë qytetarë pritet të vaksinohen brenda ditës

Në një konferencë për media, krerët e institucioneve thanë se janë të gatshëm që të fillojnë me vaksinimin dhe se kanë përgatitur një strategji për këtë, e cila do të votohet së shpejti në Qeveri. Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se parashohin t’i testojnë 20 mijë persona në ditë, derisa ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, nuk ka folur për lidhjen familjare që ka me punonjësin e IKSHPK-së për ryshfet

Prishtinë, 6 janar – Në kohën kur po parashikohen të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë, pritet që të mbërrijë edhe vaksina kundër COVID-19. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Kosova deri tash ka arritur marrëveshje për gati dy milionë doza të vaksinave anti-COVID dhe se parashikojnë të vaksinojnë rreth 20 mijë persona në ditë. Në një konferencë për media, Hoti ka thënë se 535 mijë vaksina janë konkretizuar nga marrëveshja me kompaninë “Pfizer”, 600 mijë të tjera me Austrinë dhe me programin COVAX rreth 720 mijë vaksina.

“Ashtu si na vijnë sasitë e vaksinave ne bëjmë vaksinimin e grupeve të qytetareve sipas këtyre prioriteteve, së pari do të vaksinohet stafi shëndetësor që janë në vijën e parë dhe mandej personat mbi moshën 65-vjeçare, duke filluar nga personat më të moshuar duke ardhur më lart, personat me sëmundje më të rrezikshme”, ka thënë Hoti.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, meritat për këtë ia ka adresuar kryeministrit në detyrë, Hotit.

“Këto punë dhe i gjithë ky angazhim është siguruar nga Avdullah Hoti. Siç e kemi bërë të ditur dje për sigurimin e vaksinave, kemi marrë konfirmimin nga ‘Pfizeri’ për 500 mijë vaksina. Këtë konfirmim e kemi marrë ditën e djeshme pas shumë negociatash. Gjatë kësaj jave do të finalizohen edhe aspektet teknike mes MSH-së dhe kompanisë. Dozat e para do të vijnë në muajin shkurt”, ka thënë Zemaj.

Ndërsa, Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, ka thënë në konferencë se janë të gatshëm ta zbatojnë në terren cilëndo vaksinë që e sigurojnë.

“Ne jemi të gatshëm që ta zbatojmë në terren në bashkëpunim me të gjitha qendrat e mjekësisë familjare. Tashmë kemi bërë përgatitjen për thirrjen e personave me emër dhe mbiemër në të gjithë territorin e Kosovës”, ka thënë Ramadani.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, nuk ka pranuar të përgjigjet në pyetjen nëse ka lidhje familjare me personin e arrestuar para disa ditësh në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, nën dyshimin për ryshfet. B.S punonjës i IKSHPK-së, u raportua se ishte vëllai i gruas së Zemajt.

Më 30 dhjetor, Policia kishte arrestuar një person nën dyshimin se ia kishte mundësuar një gruaje të kryente testin për COVID-19 pa pritur në radhë, në këmbim të 20 eurove.