12 të arrestuar me dyshimet për ryshfet në subvencionet bujqësore, 400 mijë euro të sekuestruara

Dhjetë zyrtarë shtetërorë e dy civilë janë arrestuar të mërkurën në aksionin policor të zhvilluar në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe në disa komuna lidhur me dyshimet për ryshfet në subvencionet bujqësore. Rreth 400 mijë euro janë sekuestruar në këtë aksion policor, ka njoftuar Prokurori i Shtetit.

Aksioni policor nisi në mëngjes, me disa të arrestuar fillimisht në AZHB në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë. Arrestime ka pasur edhe në disa komuna.

Reklama e sponzorizuar

Bastisje ka pasur në të paktën 11 shtëpi të të dyshuarve, ndërsa KOHA ka raportuar edhe për dy çanta përplot para të gjetura në shtëpitë e tyre.

Ata dyshohen për veprat penale të marrjes e dhënies së ryshfetit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Periudha e veprimtarive kriminale të pretenduara është në vitet 2020-2021.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka paralajmëruar se aksioni do të vazhdojë në ditët në vijim.