Auditori evidenton 453 raste të nxjerrjes ilegale të gurit, rërës e zhavorit

Për 20 vite me radhë, Kosova është duke u përballur me degradime lumenjsh, kodrash e zonash malore, prej të cilave nxirren materiale ndërtimore dhe industriale për ndërtimin e rrugëve dhe objekteve të banimit, siç janë: zhavori, rëra dhe gurort.

Mirëpo, këto resurse nuk po i shfrytëzojnë vetëm operatorët e licencuar në vend nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, pasiqë shumë raste tjera të nxjerrjes ilegale të këtyre materialeve janë evidentuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit, përcjell Buletini Ekonomik.

Gjithsej 453 raste ilegale të nxjerrjes së mineraleve të gurit të fortë, rërës dhe zhavorit, janë evidentuar përgjatë viteve 2016 deri më 2019.

Reklama e sponzorizuar

Sipas informatave të publikuara nga ZKA-ja në raportin e fundit të saj me titull: “Procesi i licencimit të shfrytëzuesve të mineraleve ndërtimore e industriale dhe mbrojtja e ambientit nga kjo veprimtari”, Inspektorati i KPMM-së vetëm gjatë vitit 2019 ka përcjellë 47 kallëzime penale në prokuroritë kompetente, në bazë të raporteve që kanë ardhur nga terreni, për operime të pa licencuara dhe të njëjtat janë në procedurë të shqyrtimit nga gjykatat kompetente. Po ashtu, ky organ ka përgatitur edhe 54 aktvendime për gjoba administrative lidhur me operimet jashtë kushteve të licencës së shfrytëzimit.

Tutje, ZKA-ja bën të ditur se sa i përket shfrytëzimit të mineraleve ndërtimore dhe industriale, në katër vitet e fundit është dyfishuar numri i licencave për gurëthyes krahas rritjes së kërkesës për ndërtimin e autostradave dhe kërkesave tjera për ndërtim. Sipas të dhënave, KPMM-ja në përgjithësi ka licencuar 188 Operatorë Ekonomik (OE) për mihje të shkëmbinjve të fortë ndërsa ka licencuar 14 kompani tjera për materiale industriale (siç janë mergelët, argjilat, etj) nëpër komuna të ndryshme në vend.

E komunat, në rajonet e të cilave ka pasur më së shumti kërkesa për licencim në aktivitetet për gurëthyes dhe krahas kësaj janë po ashtu të pajisura me këto licenca janë komuna e Malishevës, Klinës, Kaçanikut dhe Lipjanit. Ndërsa, ato me më së shumti kërkesa dhe licencim për rërë dhe zhavorr janë Peja, Gjakova dhe Kamenica. /Buletini Ekonomik/