Banka e Shqipërisë gjatë vitit të kaluar, atë të pandemisë, ka frenuar tërësisht blerjen e arit monetar, si mjet rezerve. Shifrat më të fundit nga institucioni tregojnë se në dhjetor të vitit të kaluar, vlera e shufrave të arit në arkat e saj prekte 136 milionë euro. Në vlerë kjo shifër është lehtë më e lartë se muaji i parë i vitit, kur fiksohej në 126.3 milionë euro. Por, kjo trajektore nuk është rrjedhojë e blerjeve të reja, përkundrazi. Rritja e çmimit të arit në tregjet ndërkombëtare ka sjellë këtë rritje, por më poshtë do të shohim se në fakt, Banka e Shqipërisë ka shitur një sasi të madhe ari gjatë pandemisë. “Scan Intelligence Unit” ka analizuar me imtësi shifrat publike nga institucioni. Krahasuar me dhjetorin e vitit 2018 ndërkohë, rritja në vlerë është në masën 139%, çka reflekton politikën e BSH gjatë vitit 2019 për të rritur ndjeshëm rezervat në ar. Në dhjetor të vitit 2018, rezervat në ar ishin vetëm 56.7 milionë euro. Përgjatë të 12 muajve të vitit 2019, institucioni më shumë se ka dyfishuar rezervat e veta në ar. Kjo politikë nuk është ndjekur aspak gjatë vitit të pandemisë, edhe pse në kohë krize, ari shihet si një investim i mirë, dhe pavarësisht faktit se çmimi është rritur në mënyrë të ndjeshme.
Rreth 136 milionë euro ar monetar në arkat e Bankës së Shqipërisë përkthehen në përafërsisht 2.74 ton shufra ari, me çmimin e sotëm (2 shkurt 2021), në tregjet ndërkombëtare. Dy vjet më parë, kjo sasi fiksohej në 1,7 ton. Në janar të vitit të kaluar ndërkohë, kjo sasi, me çmimin e atëhershëm të arit në tregjet ndërkombëtare, fiksohej në 3.67 ton ar. Kjo do të thotë se, gjatë vitit të pandemisë, Banka e Shqipërisë, jo vetëm që nuk ka blerë shufra ari, por ka shitur thuajse 1 ton, ose më saktë rreth 930 kilogramë, llogaritur në bazë të luhatjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Rritja e çmimit të arit në tregjet ndërkombëtare, prej rreth 48% në 12 muaj, ka bërë që vlera e sasisë së arit që ka banka në dispozicion të jetë më e lartë se në fillim të vitit, pavarësisht se sasia është më e ulët. Kjo mund të jetë edhe arsyeja e kësaj politike, pra përfitimi nga rritja e çmimit. Në këtë llogaritje nuk janë marrë parasysh luhatjet në kursin e këmbimit, por duhet theksuar se gjatë vitit të kaluar, këto luhatje kanë qenë minimale, si euro vs dollar, ashtu edhe leku kundrejt euros apo dollarit.
Sa i përket peshës së arit në rezervat e Bankës së Shqipërisë, aktualisht fiksohet në 3.45% të totalit, ndërkohë që në muajin janar fiksohej në 3.8%. Gjatë majit të vitit 2019 është prekur rekordi historik, me rreth 3.94%. /Scan tv/