Bankat në Kosovë aplikojnë tarifa ‘astronomike’ për tërheqjet nëpër sportele

Bankat Komerciale në Kosovë vazhdojnë të aplikojnë tarifa të larta për çdo tërheqje të parave në sportelet e tyre brenda degës. Çmimet variojnë prej 1 euro e gjysmë më e lira, e deri në 3 euro më e larta.

Mirjeta Shabani

Qytetarët e Kosovës paguajnë tarifa të larta edhe për tërheqjet më të thjeshta të parave të tyre nga sportelet e bankave komerciale në vend. Këto çmime zbatohen nga këto banka edhe për tërheqjet më të thjeshta mbi 5 euro.

Reklama e sponzorizuar

Pra, nëse ju shkoni të tërhiqni para, qoftë edhe vetëm 5 euro nga sporteli i ndonjërës bankë në Kosovë, ju duhet të paguani një tarifë prej 1 e 50 deri në 3 euro, varësisht se në cilën bankë keni llogari. I njëjti shërbim, por përmes bankomatëve të bankave është shumëfish më i ulët, sesa tërheqjet në sportele.

Buletini Ekonomik ka hulumtuar çmimoret e gjashtë bankave më të mëdha që funksionojnë në Kosovë, tek pjesa e tërheqjeve të të hollave nëpër sportele. Përjashtim këtu bëjnë vetëm pensionistët, studentët dhe llogaritë për jetimë dhe ata me asistencë sociale që këtë shërbim e marrin pa provizion, vetëm tek njëra bankë në vend, në NLB.

Nëse duam të tërheqim para direkt nga sportelet e Bankës Raiffeisen, jo nga bankomatët, atëherë aplikohet tarifa prej 2 euro e gjysmë për tërheqjet deri në 100 mijë euro, kurse për ato mbi 100 mijë euro atëherë banka llogaritë një tarifë me përqindje prej 0.1%(3) të shumës së tërhequr. Tarifë prej 4 eurosh kjo bankë zbaton edhe për tërheqjen e të hollave në bankat jashtë Kosovës, duke përfshirë sportelet apo zyrat e këmbimit të parave, si dhe ATM-të apo bankomatët jashtë vendit. Por, këto tarifa vazhdojnë të ngriten nëse keni llogari në këtë bankë me llojet e ndryshme të kartelave, si p.sh për Kredit kartelat për individë dhe biznese dhe ato Master Card që shkojnë deri në 5 euro.

Në një përgjigje për Buletinin Ekonomik, nga Banka Raiffeisen kanë thënë se sipas analizave të brendshme të kostove për shërbime brenda degës, ka rezultuar se angazhimi i personelit të bankës për këtë shërbim është më i kushtueshëm dhe prandaj ka rezultuar me tarifa të larta brenda degës për tërheqje, duke kalkuluar kështu edhe shërbimin që personeli jep për qytetarët ndonëse paguhen për atë punë.

Ata kanë pohuar gjithashtu se qytetarët e kanë mundësinë e tërheqjes së të hollave nga bankomatët 24 orë në ditë dhe se shërbimi i njëjtë është shumë më i lirë nëpër ATM sesa në sportele.

“Sipas analizave te bredshme te kostove per sherbime brenda deges, ka rezultuar qe procesi I cili perfshine edhe angazhimin e personelit te Bankes eshte me I kushtueshem, per ate arsye edhe tarifat jane me te shtrenjta brenda deges, ndersa sherbimi I njejte nga procesi automatic permes ATM eshte me I lire dhe ne te njejten kohe eshte ne dispozicion 24/7 per klientin”, ka thënë Antigona Limani – Bejtullahu, drejtoreshë e Departamentit të Marketingut brenda bankës Raiffeisen.

Ndërkohë në pyetjen se kur janë vendosur këto tarifa për tërheqjet nëpër sportele dhe se a kanë marrë ndonjë aprovim paraprak nga ana e Bankës Qendrore të Kosovës rreth kësaj çështjeje, ata janë përgjigjur se të gjitha tarifat ne bankën e tyre janë në përputhshmëri me ligjet dhe rregullat në fuqi nga ana e Bankës Qendrore të Kosovës.

Banka NLB gjithashtu zbaton tarifa për çfarëdo tërheqje në degën e saj. Për çdo tërheqje nga 5 euro deri në 1 mijë euro në sportelet e kësaj banke, çdo person fizik duhet të paguajë tarifën prej dy eurove. Përjashtim këtu bëjnë pensionistët, studentët dhe llogaritë për jetimë dhe ata me asistencë sociale që këtë shërbim e marrin pa provizion.

Banka Kombëtare Tregtare gjithashtu ka provizion për tërheqjet nëpër sportelet e saj. Për tërheqjet kesh deri në 10 mijë euro në degë, kjo bankë aplikon tarifë prej 1 euro e 50 cent, kurse për ato mbi 10 mijë euro, banka llogarit 0.10 përqindëshin e shumës së tërhequr.

Ndërkohë, klientët e Bankës TEB mund të tërheqin para nga arkat e kësaj banke më një çmim prej 1 eurosh ose 2 eurosh varësisht nga shuma që doni të tërhiqni. Kështu, për tërheqjen deri në 2 mijë euro, kjo bankë iu kërkon edhe 2 euro shtesë si tarifë për tërheqje në sportel, kurse për shumat mbi 2 mijë euro deri në 10 mijë euro, ju duhet të paguani 1 euro tarifë për këtë shërbim. Po ashtu për terheqjet mbi 10 mijë euro, zbatohet tarifa prej 0.01 të shumës së terhequr në këtë banke. Kjo bankë aplikon edhe një tarifë prej 6 eurove për tërheqjen e parave nga llogaria Flexi.

Edhe Pro Credit Bank ka një tarifë përfshirëse mujore prej 5 eurove për shumë shërbime që kryen. E në këtë pako hyjnë edhe tërheqjet dhe deponimet brenda bankomatëve të Pro Credit Bank-ës me kartelë debiti, por që nuk saktësohet se sa është çmimi i saktë për këtë shërbim. Gjithashtu nuk saktësohet as sa është tarifa për tërheqjen e të hollave nga sportelet e kësaj banke dhe asnjë informatë rreth këtij shërbimi.

Për fund, edhe Banka për Biznes ka një listë të tarifave për këto lloj shërbimesh. Për tërheqjen e mjeteve në sportelet e kësaj banke janë këto tarifa: për terheqjen prej 10 eurove deri në 1 mijë eurove, kjo bankë aplikon tarifë prej 1 euro e 50 centë, për tërheqjet prej mbi 1 mijë euro deri në 5 mijë, ka një tarifë prej 2 eurove, kurse për tërheqjen e shumave mbi 5 mijë euro deri në 10 mijë euro, tarifa është 2 euro e 50 centë. E për tërheqjet prej më shumë se 10 mijë euro, banka zbaton tarifën me përqindje prej 0.10% të shumës së tërhequr.

Buletini Ekonomik ka dërguar pyetje rreth aplikimit të këtyre tarifave për tërheqjen nëpër sportele edhe në bankat e tjera të përmendura më sipër, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje./Buletini Ekonomik/