Bie vlera e Bitcoinit për një javë me rreth 15,000 dollarë

Bitcoin gjatë fundjavës së kaluar shënoi vlerën 58,354 dollarë, më e larta deri më tani, pothuajse dyfish nga viti i kaluar.

Mirëpo, aktualisht ka rënë afër nivelit 40 mijë dollarëve, gjë që është zhvlerësimi më i shpejtë që ka ndodhur për këtë kriptovalutë.

Sipas CoinMarketCap, përcjell Telegrafi, Bitcoin po tregtohet me mbi 44 mijë dollarë, pra një rënie prej 15 mijë dollarësh brenda një jave.

Reklama e sponzorizuar

Të dhënat tregojnë, se Bitcoin brenda një jave kishte rënie rreth 22 për qind, ndërsa brenda 24-orëve u zhvlerësua me mbi 5 për qind.

Vlera aktuale e kriptovalutës Bitcoin | Burimi: CoinMarketCap

Ditë më parë, Tesla kishte blerë 1.5 miliard dollarë në vlerë të Bitcoinit dhe tha se së shpejti do të pranonte pagesa në këtë monedhë.

Kurse, sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen ka lëshuar një paralajmërim në lidhje me rreziqet që paraqet Bitcoin për investitorët dhe për publikun.

Sipas Yellen, mbetet pikëpyetje në lidhje me legjitimitetin dhe stabilitetin e kriptovalutës.

Aktualisht vlera e tregut të kriptovalutave është 1.36 trilion dollarë, ndërsa Bitcoin përbën mbi 60 për qind të tregut.