Lëshimi i lejes ujore për hidrocentralin “Lumbardhi 2” nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka ngritur dyshime lidhur me procedurat e zhvilluara për këtë proces. Dyshohet se zyrtarët e Ministrisë nuk e vizituan fare vendin e marrjes së ujit, pasi nuk kanë lejuar kushtet atmosferike. Por lëshimi i lejes ka nxitur edhe përplasje brenda Ministrisë
Dyshime mbi procesin e lëshimit të lejeve ujore nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit për hidrocentralin “Lumbardhi 2” janë ngritur pak ditë pas lëshimit të saj.
Burime të KOHËS brenda Ministrisë thonë se zyrtarët e Ministrisë që lëshuan këtë leje dyshohet se nuk e kanë vizituar fare vendin e ngjarjes. Sipas këtij burimi, shkaku i kushteve të vështira atmosferike ata e kanë vizituar vetëm objektin e hidrocentralit ku ndodhen turbinat, por jo edhe vendin e marrjes së veprës së ujit, rreth 2 kilometra më lart.
KOHA merr vesh se udhëheqësi i lëndës ka dhënë dorëheqje nga lënda. Kjo, pasi ka kërkuar që të bëhet ekspertizë, shkaku i kompleksitetit të lëndës dhe devijimit të projektit nga hapat fillestarë.
KOHA ka provuar të kontaktojë drejtorin e Autoritetit për Pellgje Lumore, por ai nuk është përgjigjur.
As MEA-ja nuk ka kthyer përgjigje, e pyetur nëse është vizituar vendi i marrjes së ujit apo jo.
Në anën tjetër, me kërkesë të kompanisë “KELKOS”, MEA-ja ka publikuar dokumentet lidhur me projektin që ka të bëjë me ridizajnimin e stazës hidrogjenetike të HC “Lumbardhi 2”, si dhe me kushtet mjedisore dhe rehabilitimin në Zallin e Rupës.
Kompania ka kërkuar të publikohet edhe raporti për të cilin ka shprehur dyshimet organizata “Pishtarët”, duke thënë se dokumenti është i bazuar në fakte, që të kundërshtohen deklaratat siç i ka quajtur, shpifëse që janë përsëritur në media në kontestin e raporteve për këtë leje.
Ndërkohë, organizata “Pishtarët” ka përsëritur edhe një herë se nuk janë përmbushur detyrimet ligjore që ka kompania.
Në një reagim ka thënë se “baseni akumulues ende nuk është ndërtuar, miliona tonelata zall janë vjedhur”.
“Me këto veprime të ulëta të tyre, lufta jonë kundër krimeve mbi Grykën e Deçanit ka evoluar, sepse tash po zgjerohet të përfshijë edhe krimet dhe dhunimet mbi institucionet publike dhe shuarjen e mundësive që të jetojmë me dinjitet”, thuhet në reagimin e organizatës “Pishtarët”.
Ndërkohë, ZRRE-ja në nëntor të vitit të kaluar ka licencuar dy hidrocentrale të tjera të KELKOS-it, pasi ato janë pajisur me leje mjedisore nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit.
Puna e tyre është pezulluar përkohësisht, shkaku i procedurave gjyqësore që po zhvillohen pas padive nga shoqëria civile kundër këtyre licencave.
Vendimi për leje ujore për hidrocentralin “Lumbardhi 2” është aprovuar nga Autoriteti Rajonal i Pellgjeve Lumore dhe është nënshkruar nga sekretari Fatos Qerimi.
Vendimi u mor pasi më parë u lëshuan dy leje mjedisore për dy hidrocentralet e tjera të KELKOS-it në atë pjesë, “Deçani” dhe “Bellaja”.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se ndërtimi i pendës së projektuar ka qenë i pamundur për shkak të mungesës së shkëmbinjve të ngurtë nëntokësorë.
“Arsyeja kryesore e prezantuar nga pala pranë ARPL-së pse nuk mund të ndërtohet rezervuari në Zalli Rupe, bazohet në vlerësimet e ekspertëve lidhur me kushtet gjeoteknike dhe hidrogjeogjike, që pengojnë ndërtimin dhe funksionalitetin e sistemit të pendës në Zallin e Rupës”, thuhet në vendim.
Mes të tjerash, aty thuhet se si zona e Zallit të Rupës, që është prekur nga heqja e materialit nga KELKOS, është identifikuar nga MEA-ja për rikultivim në pajtim me raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedis të vitit 2012.
Për masa të rikultivimit thuhet se KELKOS ka propozuar dy opsione alternative me aplikimin për leje ujore për “Lumbardhi 2”.
Opsioni i parë është rimbushja e zonës së prekur duke përllogaritur 40 mijë metra kub material zallor dhe dizajni i sipërfaqes përkatëse të arrijë deltën origjinale të shtratit të lumit siç ka qenë më parë.
Opsioni i dytë është përgatitja e një liqeni me vlera turistike që mbulon zonën e ndikuar dhe ofron mundësi turistike.
“Nëpërmjet rezervuarit testues, opsioni i dytë është përgatitja e një liqeni me vlerë turistike, që mbulon zonën e ndikuar dhe ofron mundësi për lehtësime turistike… Ndërmjet rezervuarit testues, qëndrueshmëria e këtij koncepti është testuar gjatë dy vjetëve të kaluar. Është kuptuar që për të penguar dehidrimin sezonal të liqenit, për shkak të rrjedhës së ujit nën tokë, duhet të aplikohet një shtresë izoluese në pjesën e fundme të liqenit të planifikuar”, thuhet në vendim.