Gastronomët paralajmërojnë betejë ligjore për shkeljet e masave anti-Covid nga partitë

Atyre që iu ndalua e kufizua veprimtaria për më shumë se 10 muaj, kërkojnë që të njëjtat ligje të respektohen edhe nga partitë politike.

Gastronomët si pjesë më e prekur nga masat anti-Covid, nuk do të rrinë duarkryq karshi pamjeve që po publikohen nga tubimet partiake në fushatën parazgjedhore.

Po shqyrtojnë mundësinë që të bëjnë një kërkesë për mbrojtjen e kushtetutshmërisë, përmes Avokatit të Popullit.

Reklama e sponzorizuar

“Kjo është një pabarazi e jashtëzakonshme, sepse edhe masat ndëshkimore nuk po aplikohen si duhet ndaj partive politike, por ka një qasje të njëanshme nga ky aspekt dhe kjo sipas nesh kjo përbën shkelje të nenit 3 dhe 24 të kushtetutës, përkatësisht, barazia para ligjit. Para ligjit dhe kushtetutës të gjithë janë të barabartë dhe autoriteti ligjor i vendit duhet të veprojë si duhet brenda territorit të Kosovës”, ka thënë Arian Vranica nga Shoqata e Gastronomeve.

Sallave të dasmave që nga marsi u është vënë dryni me qëllim të parandalimit të përhapjes së Covid-19. Edhe kafeneve dhe restoranteve iu kufizua orari dhe kapacitetet.

Masat e Qeverisë vazhdojnë të ndalojnë organizimin e dasmave, ndërsa ndalojnë edhe tubimin e 30 personave në hapësira të mbyllura, dhe mbi 50 persona në hapësira të hapura.

Por, këto masa nuk po vlejnë kur janë në pyetje partitë politike. Sallat e stërmbushura me njerëz, pa maska e pa distancë, janë pamje që vazhdimisht postohen nga përkrahës partish politike në rrjetet sociale.

Policia deri më tani ka shqiptuar mbi 120 mijë gjoba ndaj qytetarëve, ndërkohë që ndaj partive politike janë shqiptuar vetëm 7 gjoba nga Inspektorati i Komunës së Prishtinës.

Asnjë komunë tjetër nuk ka ndëshkuar ndonjë parti politike, ndonëse tubimet mbahen gjithandej Kosovës.

Gastronomia është një ndër sektorët më të prekur si pasojë e pandemisë Covid-19. Sipas të dhënave të Shoqatës së Gastronomëve në tremujorin e dytë të vitit të kaluar, humbjet në këtë sektorë kanë qenë rreth 20 milionë euro.

Megjithatë, ndihma qeveritare ndaj këtij sektori, sipas tyre, është e vogël. Qeveria në detyrë ka premtuar subvencionim të gastronomisë, sallave të dasmave, sallave të sportit, qendrave rehabilituese dhe të ngjashme, në vlerë prej 3 milionë euro, në kuadër të pakos për rimëkëmbje ekonomike për vitin 2021.