Instituti GAP sot ka publikuar raportin mbi pensionimin e parakohshëm të shërbyesve civil. Raporti shpjegon rregullat dhe procedurat për pensionim të parakohshëm, si dhe për herë të parë paraqet të dhëna të detajuara për moshën e shërbyesve civil në të gjitha organizatat buxhetore.
Duke u bazuar në të dhënat e siguruara nga Thesari i Shtetit, del se shërbyesit civilë përbëjnë 26.7% të të gjithë të punësuarve në sektorin publik. Mosha mesatare në shërbimin civil është 47.5 vjet. Nga numri i përgjithshëm i shërbyesve civilë, 14.1% janë mbi moshën 60 vjeçare.
Sipas Ligjit për zyrtarët publik, pensionimi i parakohshëm fillon nga mosha 63 vjeçare dhe mund të bëhet me kërkesë të shërbyesve civilë ose me vendim të institucionit. Janë 1,091 shërbyes civilë që kanë arritur moshën 63 vjeçare (7.9% e shërbyesve civilë).
Komunat kanë të punësuar më shumë shërbyes civilë mbi moshën 63 vjeçare se sa institucionet e nivelit qendror dhe institucionet e pavarura.
Duke marr parasysh se Kosova ka shkallën më të lartë në Evropë të të punësuarve në sektorin publik në krahasim me numrin e përgjithshëm të të punësuarve, Instituti GAP rekomandon politika të cilat inkurajojnë pensionimin e parakohshëm dhe zëvendësimin e atyre pozitave me punonjës të rinj me qëllim të uljes së numrit të të punësuarve në sektorin publik dhe uljen e buxhetit shtetëror për paga dhe shtesa.